Një aksion i përbashkët mes prokurorisë së Breshias dhe Prokurorisë së Posaçme shqiptare është duke u zhvilluar së fundmi.

Raportohet se si pasojë e këtij operacioni, SPAK-u ka lëshuar dhjetëra urdhër-arreste, ndërsa nuk ka ende një njoftim zyrtar mbi ngjarjen në zhvillim.

Reklame

Burime bëjnë me dije se për sekret hetimor, nuk konfirmohen zonat ku po zhvillohen operacionet për zbatimin e urdhër-arresteve.

Ndërkaq mësohet se gjithçka po drejtohet nga hetuesit italianë dhe lidhet me çështjen e Artur Hoxhosmanit që u vu në masë sigurie në Itali, ndërsa është me masë dhe në vendin tonë.

Kujtojmë se dy ditë më parë u zhvillua një operacion i madh në Itali që çoi në goditjen e një grupi që trafikoi 27 mln euro kokainë nga Amerika e Jugut në Itali.

Autoritetet italiane kanë lëshuar edhe 6 masa sigurie për shqiptarë, mes tyre edhe Artur Hoxhosmani i njohur ndryshe si “Turi i Burrelit“.

Ky i fundit është një emër jo pak i njohur për autoritetet e vendit tonë.

Ai rezulton i arrestuar me urdhër të SPAK pas goditjes së grupit të Plaurent Dervishajt, Erion Alibejt dhe bosit të Cincos, Ermir Ndreaj.

Operacioni i SPAK që çoi në pranga Artur Hoxhosmanin u organizua në korrik të këtij viti, pas zbërthimit të aplikacionit SkyECC.

Reklame