Eurodeputetja holandeze Tineke Strik i është bashkuar protestës së zhvilluar këtë të hënë para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku qytetarët vijojnë mobilizimin kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së saj para protestuesve, Strik shprehu solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe vlerësoi qëndrueshmërinë e tyre në mbrojtje të kauzave që, sipas saj, lidhen me demokracinë dhe të drejtat themelore.
“Solidaritet me popullin shqiptar që po proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë. Fjala juaj do të dëgjohet edhe në Bruksel. Do të luftojmë për të njëjtat vlera, ashtu siç luftojnë edhe shqiptarët, për demokraci”, deklaroi eurodeputetja.
Strik theksoi se protestat janë një shenjë se qytetarët shqiptarë nuk pranojnë kufizimin e lirisë së shprehjes dhe kërkojnë një qeverisje që dëgjon zërin e qytetarëve.
“Kjo tregon se populli shqiptar nuk e pranon mohimin e të drejtës së fjalës dhe se qeverisja duhet të dëgjojë qytetarët dhe jo njerëzit e pasur”, u shpreh ajo.
Eurodeputetja u ndal edhe te mbrojtja e mjedisit, duke mbështetur kërkesën e protestuesve për vendosjen e një moratoriumi ndaj ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
“Moratoriumi sugjeron që të ndalohen ndërtimet në zonat e mbrojtura në Shqipëri. Shqipëria me këtë protestë po tregon se i përket Bashkimit Europian”, deklaroi Strik.
Protesta para Kryeministrisë vijon prej 30 ditësh radhazi, ndërsa një nga kërkesat kryesore të organizatorëve mbetet ndalimi i projekteve të ndërtimit në zonat e mbrojtura dhe mbrojtja e trashëgimisë natyrore.














