Operacionet e call center-ave në Shqipëri kanë tërhequr vëmendjen edhe të mediave greke, ku Protothema raportoi mbi një rrjet të strukturuar kriminal që dyshohet se ka mashtruar mijëra qytetarë europianë, përfshirë edhe shtetas grekë.
Sipas artikullit, këto call center-a funksiononin nga Tirana, të organizuar si një korporatë e mirëfilltë me rreth 450 punonjës dhe me një strukturë të qartë hierarkike. Operacioni për goditjen e tyre u realizua në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust, duke çuar në arrestimin e të paktën 10 personave dhe sekuestrimin e qindra pajisjeve elektronike si dhe rreth 900 mijë eurove.
Skema e mashtrimit ishte e sofistikuar. Viktimat kontaktoheshin përmes telefonatave që dukeshin sikur vinin nga vende si Belgjika apo Britania e Madhe, ndërsa në realitet operacionet drejtoheshin nga Shqipëria. Personat prezantoheshin si këshilltarë investimesh dhe premtonin fitime të shpejta nga investimet në kriptomonedha. Në disa raste, ata targetonin edhe persona që kishin humbur para më parë, duke u ofruar rikuperim të humbjeve.
Struktura funksiononte me role të ndara: agjentë që kontaktonin viktimat, drejtues ekipesh dhe menaxherë. Punonjësit paguheshin rreth 800 euro në muaj, plus bonuse, dhe operonin në grupe sipas gjuhëve të huaja, përfshirë anglishten, gjermanishten, italishten, spanjishten dhe greqishten.
Hapi i parë për viktimat ishte depozitimi i një shume fillestare prej rreth 500 eurosh në portofolë digjitalë. Më pas, përmes presionit dhe manipulimit psikologjik, ata shtyheshin të kryenin transferta të tjera, shpesh pa kufi.
Sipas hetimeve, rrjeti ka arritur të përfitojë rreth 50 milionë euro, një pjesë e konsiderueshme e të cilave dyshohet se vjen nga qytetarë grekë. Rritja e ankesave, veçanërisht në Austri gjatë vitit 2023, çoi në krijimin e një task-force ndërkombëtare.
Kontrollet zbuluan aktivitetin në disa zyra dhe banesa në Tiranë, ku u sekuestruan kompjuterë, telefona dhe pajisje të tjera digjitale. Sipas ekspertëve të Europol, ky rast pritet të shërbejë si model studimi për mënyrën sesi organizatat kriminale mund të funksionojnë si kompani legjitime, duke shfrytëzuar teknologjinë dhe strukturat moderne për qëllime mashtruese.















