Policia e Shtetit ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin në Francë të 44-vjeçarit Ermal Beqiri.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të hetimeve për dosjen e tenderëve të AKSHI-t.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, Beqiri u arrestua në qytetin e Amiens, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.
Fillimisht, 44-vjeçari është ndaluar nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia kanë referuar çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, Beqiri ndodhet në paraburgim.
Sipas autoriteteve shqiptare, më 29 korrik ai pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij.
Ky është një hap në kuadër të procedurave që mund të çojnë në ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Për çfarë akuzohet Ermal Beqiri?
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka caktuar ndaj Beqirit masën e sigurimit “arrest në burg”.
Ai dyshohet për një sërë veprash penale, ndër të cilat “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e bashkëpunimit në grup të strukturuar kriminal.
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Sipas raportimeve, autoritetet franceze kanë ngritur dyshime edhe lidhur me rrethanat e ndalimit të tij.
Hetuesit po verifikojnë itinerarin e fluturimit dhe një ulje të avionit nën lartësinë e lejuar pranë një objekti strategjik.
Gjatë kontrollit, 44-vjeçarit dyshohet se i janë gjetur edhe tre pajisje gjurmimi të tipit AirTag.
Autoritetet franceze po hetojnë nëse bëhet fjalë për shkelje të rregullave të fluturimit apo për një veprim të organizuar.
Hetimet e SPAK për aferën e AKSHI-t
Ermal Beqiri është një nga personat e përfshirë në hetimet e SPAK për procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas SPAK, ai dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasin, Armand Frangun dhe persona të tjerë.
Me qëllim paracaktimin e fituesve të tenderëve dhe ushtrimin e presionit ndaj bizneseve konkurruese për t’i tërhequr ato nga garat.
Hetimi fokusohet në 12 procedura prokurimi me vlerë miliona euro, që lidhen me mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore.
Sipas akuzave të SPAK, Beqiraj dyshohet se ka përfituar kontrata publike përmes kompanisë së tij “Soft & Solution”.
Ndërkohë, PDka pretenduar se vetëm gjatë vitit 2024 kjo kompani ka përfituar kontrata me vlerë mbi 22.7 milionë euro.
Sipas saj, vlera totale e kontratave të përfituara nga AKSHI ndër vite kalon 30 milionë euro.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu transaksionet financiare të Beqirajt.
Në kuadër të hetimeve është ngritur dyshimi edhe për blerjen e një jahti luksoz me vlerë rreth 930 mijë euro, i regjistruar në emër të një shtetaseje rumune 24-vjeçare.
Procedurat në Francë pritet të përcaktojnë hapat e mëtejshëm lidhur me kërkesën për ekstradimin e Ermal Beqirit drejt Shqipërisë.
Lexo edhe:
Hetim i SPAK/ Pengmarrja e Geron Meçes nga Agasi e Beqiraj, dyshimet çojnë drejt grupit të “Çopjas”
Arrestohet në Francë Ermal Beqiraj, i kërkuar nga SPAK për dosjen “AKSHI”














