Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e së shtunës zonën e Dukagjinit në Shkodër, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Aleksandër Koçeku. Viktima u qëllua për vdekje teksa ndodhej brenda automjetit të tij në aksin rrugor Prekal–Kir.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia ngriti pika kontrolli dhe nisi kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të atentatit.

Reklame

Edhe pse autoritetet nuk kanë dalë ende me një version zyrtar mbi motivin e krimit, burime pranë hetimit bëjnë me dije se një nga pistat kryesore lidhet me konfliktet e vjetra mes familjeve dhe mundësinë e një hakmarrjeje.

Dy ngjarje të rënda në fokus të hetimeve

Fillimisht, hetuesit po verifikojnë nëse ekzekutimi i Aleksandër Koçekut ka lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit të kaluar në fshatin Guci e Re. Për atë krim ndodhen në burg Vasel Koçeku, familjar i viktimës së atentatit të së shtunës, dhe Klaudio Lisaj.

Por burime hetimore bëjnë me dije se po hetohet edhe një konflikt tjetër shumë më i hershëm, i cili daton në vitin 2017.

Bëhet fjalë për vrasjen e Angjelin Shkambit, i cili u ekzekutua me armë zjarri në dhjetor të atij viti. Për këtë krim u dënua Artan Koçeku, vëllai i Aleksandër Koçekut.

Vrasja e vitit 2017

Sipas dosjes hetimore të kohës, Artan Koçeku kishte përfituar leje nga burgu i Peqinit, ku vuante dënim për një tjetër vepër penale. Gjatë kësaj kohe ai organizoi takimin me Angjelin Shkambin, duke e kontaktuar përmes rrjetit social Facebook.

Takimi përfundoi me ekzekutimin e Shkambit, i cili u qëllua me 10 plumba.

Hetimet e asaj kohe ngritën dy pista kryesore. Njëra lidhej me një borxh prej rreth 40 mijë eurosh, ndërsa tjetra me konfliktet personale, pasi sipas dosjes, Angjelin Shkambi kishte krijuar një marrëdhënie intime me motrën e vëllezërve Koçeku, ndërkohë që ishte i fejuar me një vajzë tjetër.

Po sipas hetimeve, Shkambi dyshohej se ishte i përfshirë në kultivimin e lëndëve narkotike, shpërndarjen e farërave të kanabisit dhe dhënien e parave me fajde.

Hetimet vijojnë

Aktualisht, grupi hetimor po analizon nëse atentati ndaj Aleksandër Koçekut është pjesë e një zinxhiri konfliktesh dhe hakmarrjesh të akumuluara ndër vite, apo lidhet me rrethana të tjera kriminale.

Policia po administron pamje filmike, dëshmi dhe prova materiale, ndërsa kontrollet për identifikimin e autorit ose autorëve vijojnë. Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht motivin e vrasjes, ndërsa të gjitha pistat mbeten të hapura.

Kjo është Bardhe Ziçi, gruaja që u vra me armë gjahu nga bashkëshorti në Shkodër

Vrasja e Aleksandër Koçekut në Shkodër, pista kryesore hakmarrja për ekzekutimin e Pavlin Prekës

Reklame