VLORË – Protesta e banorëve dhe aktivistëve kundër projektit të ndërtimit në zonën e Dalanit të Zvërnecit është shoqëruar me tensione dhe përplasje, ndërsa në rrjetet sociale po qarkullojnë pamje ku shfaqet një protestues duke u larguar me forcë nga persona të identifikuar si roje private.
Sipas protestuesve, incidenti ka ndodhur gjatë grumbullimit kundër projektit që parashikohet të zhvillohet në këtë zonë të mbrojtur natyrore. Ata pretendojnë se ndaj qytetarëve është ushtruar dhunë, ndërsa kanë akuzuar policinë për mosndërhyrje në momentin e ngjarjes.
Në protestë ishte i pranishëm edhe avokati Altin Goxhaj, i cili deklaroi se, sipas tij, projekti nuk disponon ende lejen përkatëse të ndërtimit. Goxhaj e cilësoi investimin si një përpjekje për “kolonizimin e parë” të zonës së Zvërnecit dhe bëri thirrje për ndalimin e punimeve deri në sqarimin e statusit ligjor të projektit.
Banorët dhe aktivistët kanë shprehur shqetësimin se zhvillimi i planifikuar mund të ndikojë negativisht në ekosistemin e Lagunës së Nartës dhe zonës së Zvërnecit, duke kërkuar transparencë të plotë nga institucionet shtetërore.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit apo nga kompania e përfshirë lidhur me pretendimet për dhunë dhe statusin e lejeve të projektit.
Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e kundërshtimit të tyre, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për të verifikuar ligjshmërinë e projektit dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve gjatë tubimeve.













