Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë festimeve për 35-vjetorin e Partia Socialiste e Shqipërisë se qeverisja socialiste ka transformuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe ka rritur respektin ndaj vendit.
Në fjalën e mbajtur para mbështetësve socialistë në Lezhë, Rama pranoi se gjatë viteve të qeverisjes janë bërë gabime, por theksoi se bilanci i përgjithshëm mbetet pozitiv.
“Ne kemi plot të meta, kemi bërë plot gabime. Kur vjen puna te pamja e madhe, është një pamje që flet vetë për ne. Është PS në qeveri sot që ia ka ngritur kokën çdo shqiptari kudo që është. E ka bërë Shqipërinë nga delja e zezë një dekadë më parë në një vend që është më afër se kurrë realizimit të një ëndrre historike”, u shpreh kryeministri.
Rama ndaloi edhe te debati politik me opozitën, duke deklaruar se socialistët nuk do t’u përgjigjen kundërshtarëve me të njëjtën gjuhë të ashpër.
Sipas tij, Partia Socialiste mbështetet te vlerat europiane dhe nuk ka zgjedhur rrugën e sulmeve personale apo të hakmarrjes politike, pavarësisht kritikave dhe akuzave që, sipas tij, janë drejtuar ndaj tij dhe familjes së tij.
“Kurrë nuk do dëgjoni që unë të flas për familjet e tyre dhe për të vdekurit në shtëpinë e tyre, sepse kjo nuk është europiane, kjo nuk është njerëzore. Në fund është njerëzillëku që ndan PS-në me forcat e tjera politike”, deklaroi Rama.
Kryeministri e cilësoi integrimin europian si objektivin historik të Shqipërisë, duke argumentuar se vendi ndodhet më pranë se kurrë më parë realizimit të këtij synimi.














