Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin e Banush Koxhajt, ish-rojes së Gjykatës së Apelit, duke e lënë nën masën “Arrest në shtëpi”. Koxhaj ishte arrestuar menjëherë pas ngjarjes së rëndë ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja.
Shkak për zbutjen e masës së sigurisë është bërë gjendja e rënduar shëndetësore e Koxhajt, i cili vuante nga diabeti dhe kishte deklaruar këtë problem që në momentin e arrestimit.
Banush Koxhaj ishte punonjës i sigurisë në Gjykatën e Apelit dhe u arrestua për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk kishte ushtruar kontroll fizik ndaj Elvis dhe Gjon Shkambit, të cilët hynë të armatosur në sallën e gjyqit. Sipas hetimeve, detektori i skanerit kishte dhënë sinjal të kuq për praninë e sendeve metalike, por Koxhaj nuk ndërhyri dhe qëndroi i ulur në karrike.
Autor i ngjarjes mbetet Elvis Shkambi, i cili kaloi perimetrin e sigurisë dhe qëlloi gjyqtarin Kalaja pas dhënies së vendimit, duke e lënë të vdekur në vend.
Hetimet për ngjarjen dhe përgjegjësitë e tjera të mundshme vijojnë nga autoritetet.














