Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Targat”, duke goditur një skemë të vjedhjes së targave të automjeteve, të cilat dyshohet se përdoreshin për kryerjen e krimeve kundër personit dhe pronës.

Si rezultat i operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Egzon Qafleshi, 36 vjeç, nga Kosova, i dyshuar si autor i vjedhjes së targave në disa raste në qytetin e Durrësit.

Reklame

Sipas njoftimit zyrtar, 36-vjeçari u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, Plazh-Durrës, duke qarkulluar me një automjet tip “Ford”, i pajisur me targa të vjedhura në lagjen nr. 5 të qytetit, në pronësi të shtetasit R. C.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e policisë gjetën në bagazh dy palë targa, një shqiptare dhe një kosovare, ndërsa në sediljen e shoferit u sekuestruan kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç, mjete që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.

Të gjitha sendet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Egzon Qafleshi është autor edhe i vjedhjes së targave të dy automjeteve të tjera, të ndodhura gjatë muajve të fundit në Durrës.

Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”.

Reklame