Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke argumentuar se dy rastet nuk kanë asnjë ngjashmëri juridike apo historike. Në një opinion për “Kyiv Post”, Kurti thekson se njohja nga Ukraina do të rrëzonte argumentin e Vladimir Putinit, i cili përdor Kosovën për të justifikuar aneksimin e Krimesë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar publikisht nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që të ndryshojë qëndrimin e Kievit dhe të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një opinion të publikuar në median ukrainase “Kyiv Post”, kreu i qeverisë kosovare ka kritikuar mosnjohjen e deritanishme të Kosovës nga Ukraina, duke theksuar se ky qëndrim është përsëritur edhe nga Zelensky gjatë një deklarate në Beograd, në gusht të këtij viti.
Kurti ka vënë në dukje mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës për Ukrainën që prej fillimit të agresionit rus, duke rikujtuar se Prishtina ka dënuar sulmet e Moskës, është rreshtuar me sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, si dhe ka ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe ndihmë e trajnime ushtarake.
Sipas Kurtit, përballë kësaj mbështetjeje, qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet një kontrast që duhet rishikuar.
Në qendër të argumentit të tij është edhe përdorimi që presidenti rus Vladimir Putin i bën rastit të Kosovës për të justifikuar aneksimin e Krimesë. Kryeministri kosovar pretendon se Kremlini përpiqet të barazojë dy zhvillime krejt të ndryshme, me qëllim që të diskreditojë Perëndimin dhe të paraqesë aneksimin rus si një akt vetëvendosjeje. Kurti thekson se pretendimet për vetëvendosje nuk mund të trajtohen si të barasvlershme, pasi çdo rast duhet të shqyrtohet në bazë të historisë, rrethanave dhe veprimeve konkrete të palëve të përfshira.
Duke argumentuar dallimet mes Kosovës dhe Krimesë, ai ka rikujtuar se pavarësia e Kosovës erdhi pas një historie të gjatë shtypjeje të shqiptarëve, luftës, spastrimit etnik, ndërhyrjes së NATO-s dhe një procesi të gjatë negociatash ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, Kurti i është referuar edhe opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, e cila konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, njohja e Kosovës nga Ukraina do të rrëzonte pretendimin e Putinit se Perëndimi zbaton standarde të dyfishta në çështjet e integritetit territorial dhe vetëvendosjes.
“Njohja do ta hidhte poshtë pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi se demokracitë perëndimore nuk respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t’i futur rastet e ndryshme në të njëjtin kallëp, për t’i shërbyer një argumenti të leverdishëm për të”, shkruan Kurti.
Kryeministri kosovar ka theksuar gjithashtu se ndryshimi i kufijve përmes forcës ushtarake nuk mund të barazohet me të drejtën e një populli për vetëvendosje. Duke iu referuar zhvillimeve në Krime, ai ka argumentuar se një referendum i zhvilluar nën praninë e forcave ushtarake të një shteti tjetër nuk mund të konsiderohet i barasvlershëm me procesin që çoi drejt pavarësisë së Kosovës.
“Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi”, është një nga mesazhet kryesore të opinionit të tij.
Kurti ka shtuar se kjo çështje nuk ka rëndësi vetëm për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Ukrainës, por edhe për shtetet e tjera që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre territoriale.
Lexo edhe
Hamza refuzon ofertën e Kurtit/ “Nuk pranojmë që UÇK të bëhet objekt transaksioni”
Kurti për protestat në Shqipëri: VV-ja nuk është përfshirë në protestat atje!














