Bashkëpunëtorja e drejtësisë në dosjen “Veliaj”, Adela Kondakçiu, ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet e mbrojtjes në procesin gjyqësor, duke kërkuar pafajësi dhe duke kundërshtuar qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Kondakçiu ka mohuar përfshirjen në veprat penale për të cilat akuzohet, duke deklaruar para gjykatës se roli i saj ka qenë vetëm zbatues dhe teknik.
“Nuk kam bërë asgjë, nuk kam pasur pjesëmarrje, kam zbatuar urdhrat dhe nuk kam përfituar asgjë”, mësohet të ketë deklaruar Kondakçiu gjatë seancës.
SPAK ka deklaruar se ajo ka qëndruar në të njëjtën linjë me deklarimet e mëparshme si bashkëpunëtore e drejtësisë, ndërsa ka sqaruar se pretendimet e saj do të vlerësohen nga gjykata.
Mbrojtja: Nuk ka pasur rol vendimmarrës
Avokati mbrojtës i Kondakçiut ka argumentuar se klientja e tij ka pasur një rol kryesisht teknik dhe jo vendimmarrës në çështjet që janë objekt hetimi.
Sipas mbrojtjes, ajo nuk ka ndërmarrë veprime për fshehjen apo manipulimin e provave dhe nuk ka penguar hetimin.
“Ajo nuk ka asgjësuar dokumente, nuk ka fshehur dokumente, nuk ka manipuluar servera, librat e shitjes dhe të blerjes, nuk ka penguar hetimin apo të ketë dhënë deklarime të rreme”, deklaroi avokati në sallën e gjyqit.
Për këtë arsye, mbrojtja i kërkoi gjykatës të mos e konsiderojë përgjegjëse për akuzën e “pastrimit të parave”.
SPAK kërkoi 4 vite e 8 muaj, por pezullim dënimi
Në kuadër të kërkesës për dënim, SPAK kishte kërkuar për Adela Kondakçiun një dënim prej 4 vitesh e 8 muaj burgim, por për shkak të statusit të saj si bashkëpunëtore e drejtësisë kishte kërkuar përjashtimin nga vuajtja e dënimit.
Seanca tjetër më 23 korrik
Në seancën e kësaj të hëne u zhvillua vetëm mbrojtja e Kondakçiut, ndërsa të pandehurit e tjerë kanë kërkuar kohë për përgatitjen e konkluzioneve.
Seanca e radhës është caktuar më 23 korrik, ku pritet të vijojnë konkluzionet përfundimtare nga mbrojtësit e të pandehurve të tjerë në dosjen e ndarë ku disa prej tyre kanë zgjedhur të gjykohen me procedurë të shkurtuar.
Nis gjyqi ndaj Erion Veliajt në GJKKO, Ajola Xoxa kërkon shtyrjen e procesit
Dosja “Veliaj”/ Ajola Xoxa kërkoi pezullim të gjykimit, GJKKO e rrëzon. Shtyhet seanca














