Një tjetër emër i njohur i botës së krimit po rikthehet me pranga drejt drejtësisë shqiptare. Durim Bami, 47 vjeç, banues në Nikël të Krujës, i arrestuar në Dubai, pritet të ekstradohet sot në Shqipëri, për llogari të autoriteteve shqiptare.

Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, një aksion i koordinuar për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, duke goditur drejtpërdrejt atë që konsiderohej si “tempull i paprekshëm” i krimit në arrati.

Reklame

Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar më 15.05.2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepra penale tejet të rënda:

Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje

Grupi i strukturuar kriminal

Kultivimi i bimëve narkotike

Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal

Autoritetet theksojnë se ekstradimi i tij është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, duke shënuar një tjetër goditje të fortë ndaj rrjeteve të krimit të organizuar shqiptar.

“Në vijim të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme pritet të ekstradohet nga Dubai në Shqipëri shtetasi D. B., 47 vjeç. Pas mbërritjes së tij, do të ketë një njoftim të plotë për median”, njofton Policia.

Ekstradimi i Durim Bamit pritet të hapë kapituj të rinj hetimorë, me pasoja të forta për botën e krimit, ndërsa drejtësia shqiptare përgatitet për një nga përballjet më të forta të radhës.

Reklame