Nikoll Radaçi, 57 vjeç, i dyshuar për aksidentin e rëndë që i mori jetën dy të miturve në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ka dhënë një version të detajuar të ngjarjes gjatë deklarimeve të tij përpara hetuesve.

Sipas tij, gjithçka ka ndodhur kur një automjet tjetër ka dalë papritur nga një rrugicë lagjeje, duke e detyruar të devijojë drejt trotuarit, ku ndodheshin fëmijët. Ai pretendon se nuk ka mundur të frenojë dhe se mjeti ka vijuar disa metra përpara pas përplasjes.

Reklame

Në deklarim, Radaçi është shprehur se pas ngjarjes ka ndaluar menjëherë, ka shkuar në një dyqan pranë vendit të aksidentit dhe ka kërkuar që të njoftohej policia. Më pas, sipas tij, ka pritur mbërritjen e forcave të rendit për t’u shoqëruar në komisariat.

Ai akuzohet për “largim nga vendi i aksidentit” dhe “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”, ndërsa hetimet vijojnë për të verifikuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

Në pyetjet e Policisë Gjyqësore, Radaçi ka deklaruar se nuk mban mend detaje të qarta për automjetin tjetër dhe se nuk i njeh fëmijët e përfshirë në aksident.

Sa i përket shpejtësisë, ai ka pohuar se po lëvizte me rreth 30 km/h, ndërsa ka pranuar gjithashtu se kishte konsumuar alkool përpara drejtimit të mjetit: “Kam pirë një birrë në mëngjes”, është shprehur ai.

Sipas dosjes hetimore, Radaçi është banues në Durrës, me origjinë nga Mirditë, dhe rezulton me arsim 7-vjeçar.

Ngjarja mbetet nën hetim të thelluar, ndërsa priten ekspertizat teknike për të sqaruar dinamikën e plotë të aksidentit fatal.

Reklame