Imazhet e ditëve të fundit nga protestat në Tiranë, por edhe ato në Paris, Milano apo Bruksel, kanë shfaqur skena gati identike: të rinj të maskuar, të veshur me të zeza, që përplasen me policinë, dëmtojnë pronën publike e private, djegin koshat, thyejnë bankomatët e bizneset dhe shkatërrojnë sinjalistikën rrugore.

Pas kësaj mënyre veprimi fshihet një koncept i njohur botërisht si “Black Bloc” (Blloku i Zi). Përkundër perceptimit të përgjithshëm, “Black Bloc” nuk është një organizatë apo grupim politik, por një taktikë proteste. Nëpërmjet saj, pjesëmarrësit vishen tërësisht me të zeza, mbulojnë fytyrat me shalle, kapuça ose helmeta, dhe shpesh mbajnë shkopinj në duar.

Reklame

Tri qëllimet kryesore të taktikës

Sipas analizave të ekspertëve, përdorimi i kësaj taktike gjatë demonstratave shërben për tri arsye primare:

Shmangia e identifikimit: Ndihmon protestuesit t’i shpëtojnë kamerave të sigurisë dhe identifikimit nga autoritetet.

Krijimi i iluzionit të masës: Veshja uniforme me të zeza krijon përshtypjen e një grupi më të madh e më të bashkuar.

Mbrojtja fizike: Ofron mbrojtje nga pajisjet e policisë gjatë përplasjeve, si gazi lotsjellës dhe spraji me piper.

Origjina historike dhe kufizimet ligjore

Taktika “Black Bloc” lindi gjatë viteve 1980 në Gjermaninë Perëndimore nga lëvizjet anarkiste gjatë aksioneve kundër dëbimeve nga ndërtesat e uzurpuara në Berlin. Për t’iu përgjigjur këtij fenomeni, Gjermania miratoi që në vitin 1985 një ligj që ndalon mbulimin e fytyrës në protestë, një shembull që u ndoq më pas nga shtete si Austria, Spanja, Danimarka e mjaft vendet të tjera evropiane.

Në SHBA, ligjet kundër maskimit janë edhe më të hershme, me rrënjë që nga viti 1845 gjatë protestave të fermerëve në Nju Jork. Gjatë shekullit XX, shumë shtete amerikane miratuan ligje të ngjashme kryesisht për të luftuar veprimtarinë e grupit racist Ku Klux Klan (KKK).

Sidoqoftë, taktika mori vëmendje globale më 30 nëntor 1999 në Seattle (SHBA), kur grupet “Black Bloc” shkatërruan xhamat e korporatave si McDonald’s, Nike, Gap dhe disa bankave gjatë protestave masive kundër Organizatës Botërore të Tregtisë.

Rregullat e pashkruara dhe kritikat nga vetë aktivistët

Studiuesit vërejnë se brenda taktikës ekziston një rregull i pashkruar: dhuna ndaj njerëzve konsiderohet tabu (përveç rasteve si përgjigje ndaj forca të rendit), ndërsa dëmtimi i pronës, veçanërisht simboleve të pushtetit dhe kapitalit, shihet prej tyre si legjitim.

Megjithatë, përdorimi i “Black Bloc” kritikohet ashpër nga vetë aktivistët paqësorë. Sipas tyre, përplasjet e dhunshme zbehin kauzën e vërtetë të protestave. Skenat e kaosit tërheqin të gjithë vëmendjen e mediave kryesore, duke e zhvendosur fokusin e publikut nga mesazhi thelbësor dhe kërkesat e qytetarëve drejt pamjeve të dhunës./Joq

Lexo edhe

Protestat studentore, Këlliçi: Vuçiç i kthen nderin Ramës, të dy do të kenë fund të njëjtë

Studentët thërrasin protestë kombëtare më 24 tetor, nis para Ministrisë së Arsimit

Reklame