Advertisement

Një stuhi e fortë breshëri ka goditur fshatin Kamnik në Bashkinë e Kolonjës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në vreshtat e fermerëve. Reshjet intensive, që zgjatën rreth 15 minuta, kanë prekur një nga zonat me traditë në kultivimin e rrushit, ndërsa pritet që autoritetet vendore të nisin vlerësimin e dëmeve.

Moti i paqëndrueshëm që përfshiu juglindjen e vendit ka lënë pas pasoja edhe në sektorin e bujqësisë. Në fshatin Kamnik të Kolonjës, banorët raportojnë se breshëri ra me intensitet të lartë, duke mbuluar tokën “si dëborë” dhe duke dëmtuar rëndë vreshtat.

Reklame

Fermerët e zonës, të cilët prej brezash merren me kultivimin e rrushit, shprehen se dëmet janë të konsiderueshme dhe rrezikojnë të humbasin një pjesë të madhe të prodhimit të këtij sezoni.

Sipas informacioneve paraprake, një grup pune i Bashkisë Kolonjë pritet të dalë në terren për të bërë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga stuhia.

Procesi përfshin hartimin e procesverbaleve nga punonjësit e bashkisë, në bashkëpunim me specialistët e drejtorisë së ekstensionit bujqësor. Më pas dokumentacioni i përcillet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Sipas fermerëve, ky është viti i gjashtë radhazi që kulturat bujqësore në zonat e Devollit, Korçës, Maliqit dhe Kolonjës goditen nga stuhitë e breshërit.

Ata pretendojnë se, megjithëse dëmet evidentohen çdo vit nga strukturat vendore dhe dokumentacioni i nevojshëm përcillet pranë institucioneve përgjegjëse, deri më sot nuk kanë përfituar asnjë dëmshpërblim për humbjet e pësuara.

Fermerët kërkojnë ndërhyrje konkrete nga institucionet shtetërore, duke theksuar se dëmet e përsëritura po rëndojnë gjithnjë e më shumë ekonominë e familjeve që jetojnë nga bujqësia.

Reklame