Advertisement

Gazment Bardhi dhe disa deputetë të tjerë të Partisë Demokratike u paraqitën këtë të martë në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), ku dhanë dëshminë e tyre në procesin penal ndaj ish-kryebashkiakes së komanduar të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj.

Islamaj akuzohet nga SPAK për korrupsion, pasi dyshohet se ka ndërhyrë pranë një kompanie ndërtimi për të realizuar ndërtimin e një ure mbi përroin pranë banesës së motrës së saj, si përfitim i paligjshëm në kuadër të një kontrate publike.

Reklame

Pas daljes nga ambientet e gjykatës, Bardhi deklaroi për mediat se ai dhe kolegët e tij i qëndrojnë kallëzimit të bërë më herët në SPAK, duke theksuar se hetimet kanë konfirmuar pretendimet e tyre.

“Bëhet fjalë për një zyrtare të Bashkisë Tropojë që është marrë e pandehur dhe është dërguar në gjyq për korrupsion në një procedurë prokurimi publik. Dyshohet se ka përfituar ndërtimin e një ure si dhuratë nga kompania private që kishte kontratë me bashkinë për ndërtimin e një rruge”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se grupi i deputetëve është paraqitur në GJKKO si firmëtar i kallëzimit dhe se SPAK, pas përfundimit të hetimeve, e ka çuar çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet në themel nga GJKKO, ku do të vlerësohen provat dhe dëshmitë mbi akuzat për korrupsion në nivel vendor.

Reklame