Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka raportuar sot përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi punën e Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2025, duke zbuluar shifra të forta për hetimet ndaj korrupsionit në nivele të larta.
Sipas Brahos, SPAK ka proceduar rreth 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, ndërsa gjysma e tyre janë dërguar në gjykatë dhe 10 persona janë dënuar me vendime të formës së prerë.
“Korrupsioni mbetet shqetësues dhe përfshin zyrtarë në disa fusha”, deklaroi ai, teksa theksoi se numri i çështjeve për korrupsion ka shkuar nga 186 në 220.
Braho bëri me dije se hetimi financiar ka sjellë rezultate konkrete, ku janë bllokuar mbi 24 milionë euro pasuri të dyshuara, mes tyre edhe 12.4 milionë euro në kriptovaluta.
Ai sqaroi se SPAK po ndjek paratë paralelisht me hetimet penale dhe ka zbuluar skema komplekse të pastrimit të parave.
Kreu i SPAK ngriti shqetësimin për administrimin e kriptomonedhave të sekuestruara, duke theksuar mungesën e një kuadri të qartë ligjor.
“Po punohet për rregullimin e administrimit të portofoleve të kriptovalutave, pasi vlera e tyre mund të ndryshojë drastikisht në një kohë shumë të shkurtër”, tha ai.
I pyetur nga anëtarët e KLP për përdorimin masiv të celularëve si prova, Braho tha se telefonat janë mjeti më i përdorur në përditshmëri dhe përmbajnë një sërë të dhënash me vlerë hetimore.
Ai shtoi se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, SPAK ka ndryshuar procedurat dhe tashmë prokurorët i drejtohen gjykatës për marrjen dhe përdorimin e të dhënave nga celularët.














