Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja tavan për shitjen me shumicë dhe pakicë të karburanteve në Shqipëri. Nafta do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 210 lekë për litër, ndërsa benzina jo më shumë se 190 lekë për litër.
Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve zhvilloi këtë të mërkurë, 7 tetor 2026, mbledhjen e dytë, në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin SSH EN 590 është përcaktuar në 210 lekë/litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të jetë 198 lekë/litër.
Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 190 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë në 178 lekë/litër.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi më 7 tetor, në orën 11:30, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të rishikohen në varësi të ndryshimeve të çmimeve të shitjes.
Paralajmërimi për operatorët
Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin që të zbatojnë çmimet e përcaktuara.
Në rast të konstatimit të shkeljeve, Bordi paralajmëron se mund të vendoset pezullimi i aktivitetit të operatorëve që nuk respektojnë vendimin.
Vendimi është marrë në mbështetje të kuadrit ligjor për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, si dhe në zbatim të masave të ndërmarra pas shpalljes së situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg.
Lexo edhe
Nafta 213 lekë, benzina 193 lekë/ litër, Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja














