Në vijim të hetimeve për atentatin e ndodhur pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ndaluar dy punonjës të Policisë së Shtetit.
Të ndaluarit janë Nënkomisar Bruno Cara,., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve, dhe Inspektor Ashim Zajni,, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë.
Sipas hetimeve, këta efektivë dyshohet se kanë ndihmuar në mënyrë të paligjshme në procesin e rekrutimit të Muçi Shaljanit në strukturat e AMP-së, duke përpiluar një “Vërtetim Besueshmërie” të falsifikuar.
Në dokument, sipas Agjencisë, nuk janë pasqyruar të dhëna që përbëjnë shkak për cenimin e kushteve të sigurisë, siç kërkon ligji “Për Policinë e Shtetit” dhe aktet nënligjore që rregullojnë procesin e verifikimit të punonjësve të rendit.
Kjo ka bërë që Shaljani, i cili më vonë rezultoi agjent i AMP-së, të punësohej pavarësisht parregullsive ligjore.
Nga veprimet hetimore është konstatuar se B.C. dhe A.Z. kanë konsumuar elementë të veprave penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim detyre”.
Dosja është dërguar për ndjekje penale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ngjarja lidhet drejtpërdrejt me atentatin mafioz të 11 nëntorit, i cili ndodhi vetëm pak metra larg aeroportit “Nënë Tereza”, dhe ka hapur dyshime të forta mbi filtrimin e strukturave të rendit nga elementë të lidhur me botën e krimit.















