Ish-kryeministri dhe ish-deputeti Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se po e privon opozitën nga e drejta kushtetuese për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit.
Sipas Berishës, në 10 seancat e fundit parlamentare, opozita ka pasur mundësi të marrë fjalën vetëm një herë, gjatë diskutimit për institucionet e drejtësisë, ndërkohë që ligje, projektvendime dhe akte normative janë miratuar pa debat dhe pa respektimin e rolit opozitar.
Berisha theksoi se edhe pse deputetët e opozitës kanë punuar intensivisht në komisionet parlamentare për të paraqitur sugjerime, propozime dhe objeksione, në aulën e parlamentit qeveria, sipas tij, mbyll mikrofonat dhe pengon çdo mundësi debati.
“Me gjithë këtë punë serioze në komisione, kur vjen puna në parlament, Edi Rama urdhëron të mbyllë mikrofonat për opozitën. Refuzohen interpelancat, mocionet me debat dhe kërkesat për komisione hetimore. Opozita privohet nga detyra e saj themelore për të kontrolluar ekzekutivin dhe zbatimin e ligjit,” tha Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se përdor zëvendësministrat dhe drejtorët për të shmangur përgjegjësitë para parlamentit, duke trajtuar opozitën si një “vasale” e partisë-shtet.














