Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur protestuesit që morën pjesë në tubimet e fundjavës në Tiranë, duke e cilësuar mobilizimin e qytetarëve dhe diasporës si një moment historik kundër qeverisë.

Në një konferencë për mediat, Berisha shprehu mirënjohje për shqiptarët që, sipas tij, udhëtuan nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës për t’iu bashkuar protestës në kryeqytet.

Reklame

Sipas tij, fundjava që kaloi mund të konsiderohet si “uikendi i diasporës”, duke theksuar se mijëra shqiptarë u bashkuan me qytetarët në Tiranë për të kërkuar largimin e qeverisë.

Berisha e cilësoi protestën si një nga manifestimet më të mëdha qytetare, ndërsa deklaroi se pjesëmarrja e diasporës ka rritur shpresën dhe besimin te ndryshimi politik në vend.

Kryedemokrati përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi dhe duke e krahasuar qeverisjen e tij me regjime të së kaluarës.

“Manifestimi dhe rrethimi epik i epiqendrës së krimit është një arritje historike, e cila e bën të pashpresë sundimin e Edi Ramës dhe mafies së tij në Shqipëri”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi se pjesëmarrja e shqiptarëve të diasporës në protestë përbën një mbështetje të rëndësishme për opozitën dhe kërkesat e qytetarëve për ndryshim politik.

Reklame