Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat mbi rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke kërkuar që 20 çështje të evidentuara nga Brukseli të diskutohen në seancë plenare.
Kërkesa mban firmën e kreut të grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi. Demokratët kërkojnë që Konferenca e Kryetarëve të mblidhet për të përfshirë debatin në rendin e ditës së seancës parlamentare.
Sipas PD-së, rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian më 17 qershor 2026 për raportin e Komisionit Europian mbi Shqipërinë për vitin 2025 përmban një sërë problematikash që kërkojnë trajtim të menjëhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë.
Zgjedhjet dhe përdorimi i administratës
Parlamenti Europian ngre shqetësime për mungesën e barazisë së kushteve në zgjedhje, përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të partive politike, financimin e fushatave, akuzat për blerje votash dhe presionin ndaj zgjedhësve.
Rezoluta kërkon një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore në bashkëpunim me opozitën, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Polarizimi politik dhe funksionimi i Kuvendit
Një tjetër pikë lidhet me polarizimin politik dhe diskursin konfrontues, që sipas Parlamentit Europian dëmton mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
PE nënvizon nevojën për rikthimin e dialogut politik dhe forcimin e rolit të opozitës në Kuvend.
Drejtësia dhe zbatimi i vendimeve gjyqësore
Rezoluta vë theksin te pavarësia e sistemit gjyqësor, efikasiteti i gjykatave dhe zbatimi i vendimeve të formës së prerë.
Parlamenti Europian kërkon zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe paralajmëron për rreziqet e ndikimit politik mbi drejtësinë.
Korrupsioni dhe SPAK
Një nga pikat më të forta të rezolutës lidhet me korrupsionin.
PE shpreh shqetësim për rënien e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe kërkon forcimin e luftës kundër korrupsionit në nivelet e larta.
Dokumenti kërkon garantimin e pavarësisë së SPAK-ut, mbështetje financiare dhe institucionale për strukturat antikorrupsion dhe konfiskimin efektiv të pasurive kriminale.
Pronat dhe siguria juridike
Rezoluta kërkon përparim në regjistrimin e pronave, transparencë në kadastër dhe respektimin e të drejtës së pronës.
Parlamenti Europian thekson se qytetarët duhet të kenë mbrojtje efektive gjyqësore në rastet e shpronësimeve.
Krimi i organizuar dhe pastrimi i parave
PE kërkon forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, si dhe bashkëpunim më të ngushtë me Europol dhe Eurojust.
Liria e medias
Një kapitull i veçantë i kushtohet lirisë së medias.
Parlamenti Europian shpreh shqetësim për presionet politike dhe ekonomike ndaj gazetarëve, sulmet verbale, fushatat e diskreditimit dhe paditë ndaj mediave.
Rezoluta kërkon transparencë mbi pronësinë mediatike dhe mbrojtje më të madhe për gazetarët.
Prokurimet publike dhe koncesionet
PE vlerëson se kuadri ligjor i prokurimeve publike nuk është ende plotësisht në përputhje me standardet europiane.
Kërkohet forcimi i auditimeve, mbikëqyrjes parlamentare dhe rritja e transparencës në tenderë dhe koncesione.
Investimet strategjike dhe zonat e mbrojtura
Një nga pikat më kritike të rezolutës lidhet me ligjin për investimet strategjike dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.
Parlamenti Europian shpreh keqardhje për zgjatjen e ligjit të investimeve strategjike dhe kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.
Sipas dokumentit, këto ndryshime mund të dëmtojnë mjedisin dhe të dobësojnë kontrollin institucional.
Vjosë-Narta dhe protestat qytetare
Rezoluta ndalet veçanërisht te zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.
Parlamenti Europian shpreh shqetësim për projektet zhvillimore në këtë zonë dhe përmend protestat e vazhdueshme qytetare.
Dokumenti kërkon vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm për lejet e reja, ndërtimet dhe ndërhyrjet brenda zonave të mbrojtura deri në përputhjen e plotë me legjislacionin europian.
Open Balkan dhe fondet IPARD
Rezoluta paralajmëron gjithashtu se nisma “Open Balkan” mund të krijojë struktura paralele që cenojnë Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal.
Një tjetër shqetësim lidhet me parregullsitë e konstatuara nga OLAF në programin IPARD II, ku kërkohet transparencë e plotë dhe masa korrigjuese të menjëhershme.
PD kërkon debat në Kuvend
Duke iu referuar nenit 98 të Rregullores së Kuvendit, Partia Demokratike kërkon zhvillimin e një mocioni me debat mbi rezolutën e Parlamentit Europian.
Demokratët propozojnë që çështja të shqyrtohet në seancën plenare të 25 qershorit, duke argumentuar se integrimi europian është shpallur prioritet absolut i Kuvendit dhe se rekomandimet e Parlamentit Europian kërkojnë përgjigje politike dhe institucionale nga shumica dhe opozita.
Kerkese per zhvillimin e nje mocioni me debat per Rezoluten e Parlamentit Europian














