Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me procesin e reformës territoriale dhe zhvillimet në Theth, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërprerjen e procesit të reformës dhe për qëndrimin ndaj banorëve të zonës së Thethit.

Berisha vlerësoi punën e përfaqësuesve të opozitës në komisionin për reformën territoriale, duke thënë se ata kanë përgatitur një projekt që, sipas tij, është në interes të qytetarëve.

Reklame

Sipas Berishës, procesi është ndërprerë në mënyrë të njëanshme nga kryeministri, në një moment kur palët kishin rënë dakord për vijimin e konsultimeve.

“Çështje jashtëzakonisht e rëndësishme është qëndrimi i Edi Ramës ndaj reformës territoriale. Zoti Boçi dhe anëtarët tanë të komisionit kanë bërë një punë të shkëlqyer”, deklaroi Berisha.

Ai tha se procesi duhet të vijojë me konsultimet në qarqet e vendit dhe me ekspertizën e pritshme nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.

“Të gjithë Shqipërinë do e ngremë në këmbë. Nuk mund ta bëjë ky si çiflig personal të tij vendin”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha u ndal edhe te situata në Theth, duke kritikuar ashpër qeverinë për ndërhyrjet ndaj banesave dhe ndërtimeve në këtë zonë.

“Shkoi dje dhe u kthye si kriminel në vendin e krimit, po atë që i ka bërë Thethit, nuk ia ka bërë asnjë pushtues”, tha ai.

Sipas Berishës, banorët e Thethit nuk duhet të përballen me prishjen e banesave të ndërtuara në pronat e tyre. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se po përdor argumentin e turizmit për të justifikuar politikat e qeverisë në këtë zonë.

“Dhe ai për atë shkatërrime që ka bërë do bëhet përgjegjës gjer minutën e fundit të jetës së tij, do japë llogari. Nuk i prishet shtëpia tjetrit në tokën e të atit”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se protestat kanë ndikuar në turizmin e Thethit, duke thënë se, sipas tij, ka pasur anulime dhe rënie të prenotimeve për shkak të politikave të qeverisë.

Në përfundim, Berisha paralajmëroi reagime të tjera politike dhe qytetare ndaj vendimeve të qeverisë, duke e cilësuar situatën si një fazë të “veprimeve ekstreme”.

Berisha: Turizmin nuk e dëmtoi protesta, por rënia e euros

Reklame