Advertisement

Në ditën e gjashtë të protestës, banorët e Rrjollit në Velipojë janë përplasur sërish me policinë, ndërsa protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik që sipas tyre përbën një “grabitje të hapur të pronave të tyre”.

Banorët paralajmërojnë se protesta do të vijojë pa afat, dhe se nuk do të heqin dorë derisa të njihet e drejta e tyre.“Kemi të gjithë dokumentacionin që tregon se jemi pronarë të ligjshëm. Nuk do të tërhiqemi,” deklarojnë banorët.

Reklame

Dy ditë më parë, ata protestuan para Prokurorisë së Posaçme në Tiranë, duke dorëzuar dokumentacionin që sipas tyre provojnë pronësinë. Kallëzimi i tyre ishte dorëzuar në SPAK një vit më parë, nën dyshimet se dokumentet janë falsifikuar për të mundësuar ndërtimin e resortit.

Sipas banorëve, Prokuroria e Shkodrës, e cila ka marrë kompetencën për hetime, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, gjë që ka nxitur vazhdimin e protestave.

Për këtë arsye, të hënën pritet protesta e radhës para Prokurorisë në Shkodër, ku banorët do të kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për këtë çështje.

Reklame