Advertisement

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka kritikuar mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe rendin e ditës së seancës së fundit të këtij sesioni parlamentar.

Në një deklaratë publike, Xhixho tha se në seancën e nesërme janë përfshirë 33 pika, mes tyre raportimet e institucioneve të drejtësisë, dhjetëra projektligje dhe dy akte normative që prekin Buxhetin e Shtetit.

Reklame

Sipas saj, raportimet e institucioneve si KLGJ, ILD, KLP dhe SPAK kërkojnë debat të thelluar dhe nuk duhet të trajtohen në një seancë me një numër të madh çështjesh.

“Transparenca përballë qytetarëve kërkon seanca të dedikuara, jo raportime të kaluara me nxitim”, deklaroi Xhixho.

Deputetja e Partisë së Lirisë ngriti pikëpyetje edhe për përfshirjen e një numri të madh projektligjesh në të njëjtën seancë, duke akuzuar mazhorancën se synon të shmangë debatin publik.

“Përse gjithë kjo ngutje? Sepse qëllimi i vetëm i maxhorancës është që këto çështje të mos debatohen siç duhet, të mos analizohen dhe të kalojnë pa vëmendjen që meritojnë nga opinioni publik”, u shpreh ajo.

Xhixho kritikoi gjithashtu procesin e konsultimit publik, duke thënë se gjatë muajve të verës janë publikuar dhjetëra projektligje për konsultim.

Sipas saj, nga 1 qershori deri në momentin e deklaratës janë publikuar 30 projektligje, ndërsa vetëm Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim 12 nisma ligjore.

Deputetja pretendoi se konsultimi publik është kthyer në një procedurë formale dhe se propozimet e qytetarëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit nuk reflektohen në përmbajtjen e ligjeve.

Në deklaratën e saj, Xhixho u ndal edhe te nismat e opozitës që, sipas saj, nuk janë përfshirë në rendin e ditës së seancës. Ajo përmendi projektligjet për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për investimet strategjike, Paketën e Maleve dhe disa dispozita të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Sipas Xhixhos, këto nisma lidhen me kërkesat e qytetarëve që prej 53 ditësh protestojnë për çështje që kanë të bëjnë me pronën publike, mjedisin dhe trashëgiminë kombëtare.

“Ndërsa ligjet e qeverisë kalojnë me procedurë të përshpejtuar dhe pa debat, nismat e opozitës që burojnë nga kërkesat e qytetarëve mbahen të bllokuara”, deklaroi ajo.

Në përfundim, deputetja e Partisë së Lirisë akuzoi mazhorancën se po përdor shumicën parlamentare për të kufizuar debatin dhe kërkoi që Kuvendi të rikthehet në funksionin e tij kushtetues.

Xhixho: Shqipëria mbahet në këmbë nga paratë e pista, jo nga puna

Reklame