Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me protestat e zhvilluara në vend, duke deklaruar se pakënaqësia ndaj qeverisë nuk është më vetëm një kauzë e opozitës, por është kthyer në një reagim të gjerë qytetar.
Në një reagim publik, Berisha u shpreh se demokratët kanë kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama prej 13 vitesh, duke përballuar, sipas tij, kërcënime, presione, fyerje dhe sulme politike.
“Demokratët kanë kërkuar largimin e Edi Ramës prej 13 vitesh, duke përballuar kërcënime, fyerje, presione dhe çdo formë sulmi politik,” u shpreh Berisha.
Sipas kreut të opozitës, protestat që po zhvillohen aktualisht tregojnë se kundërshtimi ndaj qeverisë ka kaluar kufijtë e elektoratit opozitar dhe është shndërruar në një pakënaqësi më të gjerë shoqërore.
“Protestat që po zhvillohen sot dëshmojnë se pakënaqësia ndaj kësaj qeverie nuk është më vetëm e opozitës – është bërë zëri i mbarë shqiptarëve,” deklaroi ai.
Berisha bëri të ditur se ka inkurajuar çdo demokrat t’i bashkohet protestave, por theksoi se pjesëmarrja duhet të jetë në cilësinë e qytetarit dhe jo të militantit politik.
“Kjo është arsyeja pse kam nxitur çdo demokrat të bashkohet me protestën. Por me një kusht: jo si militantë partie, por si qytetarë,” tha ai.
Në reagimin e tij, Berisha argumentoi se kur një qeveri humbet besimin e qytetarëve, përballja nuk mbetet më vetëm politike.
“Kur një qeveri humbet besimin e qytetarëve, beteja nuk është më politike; është një betejë për dinjitetin, lirinë dhe të ardhmen e vendit,” përfundoi kreu i Partisë Demokratike.














