Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një prononcim për mediat pas takimit në selinë blu me Dr. Christian Forneck, këshilltar për politikën e jashtme dhe sigurinë pranë grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag.
Berisha vlerësoi rolin e Bundestagut gjerman si një mbështetës i rëndësishëm i procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se ky institucion ka qenë i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme për standarde dhe meritokraci në zgjerimin e BE-së.
Në deklaratën e tij, lideri i opozitës akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për deformim të procesit zgjedhor dhe përqendrim të pushteteve.
Sipas Berishës, vendi ndodhet në një situatë të rënduar për shkak të, siç tha ai, ndikimit të krimit të organizuar në jetën politike dhe institucionale.
Berisha shkoi më tej duke deklaruar se Shqipëria është e ekspozuar ndaj grupeve kriminale dhe trafikut të drogës, të cilat sipas tij kanë ndikim në vendimmarrje.
Ai e cilësoi këtë situatë si rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit, duke kërkuar që procesi i integrimit në BE të bazohet vetëm në standarde dhe meritë.
Kreu i PD-së theksoi se opozita mbetet e përkushtuar ndaj integrimit europian, por kërkoi që procesi të mos deformohet politikisht.
“Integrimi duhet të jetë i bazuar në meritë, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë dhe të Bashkimit Europian,” u shpreh ai.
Ai vlerësoi rolin historik të Bundestagut në mbështetjen e procesit të zgjerimit të BE-së, duke përmendur dokumente dhe rekomandime të mëparshme si prova të angazhimit gjerman për reforma në rajon.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përpjekje për të diskredituar opozitën në arenën ndërkombëtare përmes lobimeve, duke theksuar se, sipas tij, këto përpjekje nuk kanë pasur sukses.
Në përfundim, Berisha përsëriti se PD synon bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme drejt integrimit europian.














