Advertisement

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit përpara mediave nga selia e PD-së pas shpërndarjes së protestuesve nga forcat e policisë, duke denoncuar ashpër sjelljen e uniformave të rendit.

Berisha i quajti policët “banditë dhe kriminelë me uniformë” që sulmuan qytetarët, por shtoi se vetëpërmbajtja dhe guximi i protestuesve paqësorë janë qindra herë më të fuqishëm se banditizmi i përdorur ndaj tyre.

Reklame

Ai theksoi se qëndrimi i qytetarëve nuk duhet të interpretohet si dobësi, por si shprehje e vendosmërisë për të realizuar qëllimet e tyre.“Provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë,” shtoi Berisha, duke shprehur mirënjohje për çdo qytetar që mori pjesë në protestë dhe mbajti qëndrim paqësor.

Deklarata e tij vjen pas tensioneve që shpërthyen gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa protesta e 10 shkurtit u mbyll pasditen e kësaj të marte.

Berisha gjithashtu paralajmëroi protestën e rradhës, e cila do të zhvillohet më 20 shkurt, në përkujtim të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha:“Shqiptarët panë dhe bota pa, se si kryehajduti i kombit për të mbrojtur plaçkën e tij dhe të Lubi Ballukut është i gatshëm të ta shkëpusë Shqipërinë nga Bashkimi Europian. Por ne jemi më të gatshëm se kurrë që t’ua japim atë që meritojnë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Në datën 20 shkurt është dita jonë, është dita e fitore, nderim të gjithë protestuesve. Fitore!”

Deklaratat e Berishës konfirmojnë përshkallëzimin e aksionit opozitar dhe vendosmërinë e PD-së për vijimin e protestave kundër qeverisë.

Reklame