Ka nisur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) seanca e radhës në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Në nisje të seancës, Ilir Meta i ka paraqitur trupës gjykuese një kërkesë me shkrim për të qëndruar jashtë kafazit të xhamit gjatë zhvillimit të procesit.
Kërkesa e ish-presidentit është rrëzuar nga trupa gjykuese, e cila ka argumentuar se kjo çështje është shqyrtuar më herët dhe për të është marrë një vendim përfundimtar.
Gjatë seancës së sotme pritet që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të paraqesë qëndrimin e saj lidhur me kërkesat e mbrojtjes për shpalljen të pavlefshme të disa akteve të administruara gjatë hetimeve.
Në seancën e kaluar, Monika Kryemadhi ka kundërshtuar sekuestrimin e telefonit të saj celular. Mbrojtja e saj ka pretenduar se në momentin kur është kryer sekuestrimi, ajo ushtronte funksionin e deputetes dhe se për këtë veprim duhej të ishte marrë më parë autorizimi i Kuvendit.
Edhe Ilir Meta ka kërkuar shpalljen e pavlefshme të disa akteve hetimore, mes tyre edhe komunikime të siguruara nga telefoni i biznesmenit Kastriot Ismailaj.
Në fokus të kundërshtimeve të mbrojtjes është edhe një mesazh me tekst ku shkruhet: “Nesër më duhen patjetër 200 mijë.”
Sipas mbrojtjes së Ilir Metës, nuk është provuar se mesazhi është dërguar nga ish-presidenti. Për këtë arsye, mbrojtja pretendon se komunikimi nuk mund të përdoret si provë në procesin gjyqësor.
Procesi ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit vijon në GJKKO, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë pretendimet e palëve lidhur me vlefshmërinë e provave dhe akteve hetimore të administruara në dosje.
Lexo edhe:
SPAK jep pretencën/ Ja çfarë kërkohet për Fatime Kryemadhin, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun














