Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, së bashku me kreun e grupit parlamentar dhe përfaqësues të tjerë të selisë blu, vizituan deputetin Bledion Nallbati, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës pas dëmtimeve të pësuara gjatë tubimit të opozitës, si pasojë e goditjeve nga policia.

Në një prononcim për mediat, Berisha bëri me dije se Nallbati ka një hematomë në indet e buta dhe do të qëndrojë nën observim mjekësor, për të monitoruar çdo pasojë të mëvonshme të goditjes.

Reklame

Kreu i PD-së akuzoi hapur policin Sokol Bizhga si urdhër-dhënës për dhunën ndaj deputetit, duke e cilësuar atë si një figurë kriminale të njohur dhe “të damkosur” që ka mbajtur pozita në polici pavarësisht historikut të tij.“Ky akt i shëmtuar u krye me urdhër të Edi Ramës. Deputeti Bledion Nallbati ka hematomë në indet e buta dhe do të qëndrojë nën observim, por Sokol Bizhga, krimineli i damkosur që e goditi, do të mbajë përgjegjësi ligjore dhe politike deri në fund,” tha Berisha.

Ai përmendi gjithashtu veprime të tjera të Bizhgës në të kaluarën, duke e lidhur direkt veprimin e tij ndaj Nallbatit me qeverisjen e kryeministrit Rama.

Deklarata e Berishës vjen pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestës së opozitës, ndërsa PD-ja paralajmëron vazhdimin e aksioneve politike dhe kërkon përgjegjësi për çdo akt dhune ndaj përfaqësuesve të saj.

Reklame