Advertisement

Policia e Tirana ka arrestuar një grua të dyshuar për vjedhjen e 40 mijë paundëve nga një market, ku një klient i kishte lënë përkohësisht në kasetat e ruajtjes së çantave.

E arrestuara, Maglevina Xhakollari, është filmuar nga kamerat e sigurisë teksa i afrohet kasetave dhe merr çantën me para.

Reklame

Sipas hetimeve, paratë i përkisnin një kambisti, i cili i kishte vendosur në kasetë duke përdorur çelësin rezervë. Ndërkohë, disa ditë më parë, autorja kishte shkuar në të njëjtin market dhe kishte vjedhur çelësin origjinal të një prej kasetave. Edhe pse punonjësit konstatuan mungesën dhe e zëvendësuan me kopje, kjo nuk e pengoi gruan që të përdorte çelësin e vjedhur për të hapur kasetën ditën e ngjarjes.

Pas ndërhyrjes së policisë, shuma e parave u gjet në vendin e punës së saj, një rrobaqepësi, dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në një operacion tjetër, u arrestua edhe Leondjo Bega, i cili dyshohet se gjatë 6 muajve kishte përvetësuar rreth 3 milionë lekë nga shitja e pajisjeve të kafesë në biznesin ku ishte i punësuar. Policia ka sekuestruar edhe automjetin që ai përdorte për shpërndarjen e pajisjeve.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Reklame