Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përshëndetur rezultatin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare në Serbi, duke e cilësuar atë si një fitore të bashkimit, dinjitetit dhe përfaqësimit politik.
Në një reagim publik, Begaj uroi shqiptarët për rezultatin e arritur, ndërsa theksoi se përfaqësimi politik duhet të shërbejë si mundësi për përmirësimin e të drejtave të tyre.
“Fitorja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është fitore e bashkimit, dinjitetit dhe përfaqësimit politik”, shkroi presidenti.
Begaj nënvizoi se hapi i radhës duhet të jetë përkthimi i këtij rezultati në më shumë të drejta dhe barazi, si dhe në përfundimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Serbi.
“Tani ky rezultat duhet të kthehet në më shumë të drejta, barazi dhe fund të diskriminimit. Shumë urime!”, përfundoi ai.
Reagimi i kreut të shtetit vjen pas rezultatit të Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare, ku siguroi dy mandate, ndërsa është pretenduar edhe mundësia për një mandat të tretë.
Lexo edhe:
“Arritje historike”, Berisha uron shqiptarët e Luginës së Preshevës për dy mandatet














