Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe i ka kaluar për hetim SPAK çështjen e atentatit me dy viktima të ndodhur në Rinas, pas dyshimeve se ngjarja është kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në muajin nëntor 2025, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, i njohur me nofkën “Sheqeri”.
Pas verifikimeve paraprake dhe mbledhjes së provave fillestare, organi i akuzës në Tiranë arriti në përfundimin se, për shkak të natyrës së dyshuar të organizuar të krimit, kompetenca për hetimin i takon Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kalimi i dosjes në SPAK sinjalizon një nivel më të lartë të dyshimeve për përfshirje të elementëve të krimit të organizuar, ndërsa pritet që hetimet të thellohen për identifikimin e autorëve, motivit dhe rrjetit të mundshëm kriminal pas atentatit.














