Një 36-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në zonën e Kolonos, në Athinë. Pas të shtënave, ai ka arritur të largohet nga vendi ku u qëllua dhe të shkojë deri te automjeti i tij, i parkuar rreth 150 metra më tutje.
Ngjarja ndodhi në rrugën Lenorman, pranë numrit 197. Sipas informacioneve paraprake, pak pas orës 20:30, një banor i zonës njoftoi policinë pasi dëgjoi të shtëna me armë zjarri.
Forcat e policisë mbërritën në vendngjarje, ku gjetën dy gëzhoja. Ndërkohë, 36-vjeçari u gjet brenda automjetit të tij, me plagë të rënda në zonën e barkut.
Sipas të dhënave paraprake, shqiptari ishte qëlluar në sheshin pranë kishës së zonës dhe më pas kishte vrapuar deri te makina, e cila ndodhej rreth 150 metra larg vendit të plagosjes.
Ai u transportua me ambulancën e shërbimit të urgjencës EKAB drejt spitalit Attikon, ku po merr ndihmë mjekësore. Deri më tani nuk ka të dhëna të tjera zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka shoqëruar dy persona, të cilët po merren në pyetje. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plagosjes dhe motivet e mundshme të sulmit.
Lexo edhe
Kush ishte objektivi i atentatit në Shënkoll? 10 mijë euro për vrasjen, motori i vjedhur në Suedi













