Seanca plenare e planifikuar për ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë është anuluar, pas dy ditësh protestash të dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin. Protestat pritet të vijojnë edhe gjatë së enjtes.
Deputetët e Partisë Socialiste kanë dalë nga ambientet e Kuvendit, por nuk kanë dhënë përgjigje për gazetarët që i kanë pyetur lidhur me anulimin e seancës.
Anulimi vjen pas përshkallëzimit të protestës së djeshme, gjatë së cilës u shënjestruan disa institucione publike, mes tyre Kryeministria, Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë.
Edhe godina e Kuvendit u përfshi në episodet e dhunës. Protestuesit iu drejtuan hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, ku, sipas raportimeve, thyen derën duke përdorur një tabelë rrugore të shkulur dhe dëmtuan xhamat.
Në hyrje të Parlamentit ishin vendosur forca të shumta policie dhe një autobot, por protestuesit nuk u përballën drejtpërdrejt me këtë pikë të sigurisë.
Deri në këto momente, nuk është bërë e ditur një arsye zyrtare e detajuar për anulimin e seancës plenare.
Lexo edhe














