Advertisement

Shpërthimi i meningitit në Britaninë e Madhe ka shkaktuar panik edhe në Shqipëri.

Autoritetet shëndetësore deklarojnë se aktualisht nuk kemi raste të këtij infeksioni dhe se Shqipëria ka incidencë të ulët nga meningiti bakterial, një sëmundje që shkakton pasoja të rënda, deri në humbje jete.

Reklame

Megjithatë, ekspertët e shëndetit publik flasin për një rritje të vëmendjes, dhe të njëjtën gjë kërkojnë edhe nga prindërit dhe të rinjtë.

Meningiti përhapet përmes pështymës dhe kontakteve të ngushta, ndaj këshillohet higjienë e mirë dhe mospërdorimi i sendeve personale nga persona të tjerë. Mes shokëve e shoqeve, në udhëtime ose festa të ndryshme, mos pini nga e njëjta gotë, mos përdorni të njëjtin buzëkuq apo të njëjtën cigare.

Jemi ende në stinën e virozave dhe shenjat e meningitit fillimisht mund të ngatërrohen me ato të gripit.

Por çfarë duhet t’i alarmojë prindërit që të shkojnë me nxitim te mjeku?

Për shkak të incidencës së ulët të meningitit bakterial, në kalendarin e detyrueshëm nuk aplikohen vaksinat kundër meningitit.

Por cilat janë simptomat e meningjitit?

  • temperaturë e lartë (ethe)
  • ndjesi këputjeje
  • dhimbje koke
  • skuqje e cila nuk zbehet kur mbështillet një gotë mbi të (por një skuqje nuk do të zhvillohet gjithmonë)
  • qafë të ngurtë
  • bezdisje nga dritat e ndritshme
  • përgjumje ose mosreagim
  • konvulsione (kriza)

Të porsalindurit dhe foshnjat mund të shfaqin këto simptoma:

  • Temperaturë të lartë
  • Të qara të vazhdueshme
  • Përgjumje të tepërt ose nervozizëm
  • Vështirësi zgjimi nga gjumi
  • Inaktivitet ose plogështi
  • Fëmija nuk zgjohet për të ngrënë
  • Ushqyerja e dobët
  • Të vjella
  • Fryrje në vendin e butë në majë të kokës së foshnjës (fontanel)
  • Ngurtësi në trup dhe qafë

Komplikimet e meningjitit:

  • Humbja e dëgjimit
  • Vështirësi në kujtesë
  • Paaftësi në të nxënë
  • Dëmtimi i trurit
  • Probleme me ecjen
  • Konvulsione
  • Dështimi i veshkave
  • Shoku
  • Vdekja

Kujtojmë se, edhe në vendin tonë nuk kanë munguar fatalitetet nga ky infeksion. Dy vjet më parë, një 17-vjeçare nga Durrësi humbi jetën nga meningiti bakterial për shkak të komplikacioneve të rënda dhe të menjëhershme.

Reklame