Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë kontrolle në Tregun Agro-Ushqimor të Tiranës, duke bllokuar 2.4 ton produkte ushqimore, mes të cilave djathë kaçkavall, sallam dhe fruta të thata. Nga 14 subjekte të planifikuara për inspektim, vetëm 5 u kontrolluan, ndërsa 9 të tjera ishin të mbyllura, çka ngre pyetje mbi efektivitetin real të inspektimeve.
Sipas njoftimit të AKU, nga produktet e bllokuara:
197.5 kg ishin të pasigurta;
2214.2 kg ishin pa etiketë ose me etiketim të parregullt.
Për shkeljet e konstatuara u vendosën 7 gjoba në vlerë totale prej 1,600,000 lekësh, një shumë që duket simbolike për tregun e madh që inspektohet.
Shumë prej qytetarëve dhe ekspertëve të sigurisë ushqimore vënë në pikëpyetje rezultatin real të kontrolleve, duke e quajtur bllokimin e produkteve dhe gjobat një “show për sy të publikut”, ndërkohë që pjesa më e madhe e tregut mund të vazhdojë të operojë pa u shqetësuar.“Kontrollet janë të përsëritura, por mungesa e pranisë në 9 subjekte dhe gjobat relativisht të ulëta lënë të kuptohet se rreziku i konsumatorit nuk është trajtuar seriozisht”, thonë ekspertët.
AKU deklaron se do të vijojë monitorimin, por sfida mbetet: si të mbikëqyret një treg ku shumë subjekte mund të mbyllen kur vijnë inspektorët?
Njoftimi i AKU:
Kontrolle në Tregun Agro-Ushqimor, Tiranë – Bllokohen mbi 2.4 ton produkte
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pas një denoncimi të ardhur në adresën zyrtare dhe në zbatim të legjislacionit në fuqi, zhvilloi kontrolle në subjektet që tregtojnë produkte ushqimore me origjinë shtazore në Tregun Agro-Ushqimor, Tiranë.
Nga 14 subjekte të planifikuara për inspektim, në 5 prej tyre u krye kontroll i plotë, ndërsa 9 u gjetën të mbyllura.
Gjatë kontrolleve u bllokuan
197.5 kg produkte të pasigurta (djathë kaçkavall dhe fruta të thata);
2214.2 kg produkte pa etiketë ose me etiketim të parregullt (sallam dhe fruta të thata).
Të gjitha produktet e bllokuara kanë destinacion asgjesimin.
Për shkeljet e konstatuara u vendosën 7 masa administrative (gjobë), në vlerë totale 1,600,000 lekë, konkretisht:
800,000 lekë për tregtim ushqimi të pasigurt;
500,000 lekë për mungesë gjurmueshmërie;
300,000 lekë për mungesë etiketimi.
AKU do të vijojë kontrollet në terren për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.














