Një aksident i rëndë rrugor është shënuar këtë të hënë në aksin Kabash–Poroçan, në territorin e Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj. Një kamion ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në humnerë, duke sjellë pasoja tragjike për personat që ndodheshin në mjet.

Sipas informacioneve paraprake, në automjet udhëtonin tre persona, pjesë e personelit të shërbimit në fshatra: një mësuese, një infermiere dhe drejtuesi i kamionit.

Reklame

Nga verifikimet e para të Policisë Rrugore dhe autoriteteve vendore mësohet se në mjet ndodheshin Dëshira Hoxha, Albana Boja dhe Shaban Kotorri.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit, Shaban Kotorri, si dhe Albana Boja, mësuese, kanë humbur jetën në vendngjarje. Mësohet se mësuesja është nxjerrë nga mjeti pas rënies në humnerë, por për shkak të plagëve të rënda nuk ka mundur të mbijetojë.

Ndërkohë, Dëshira Hoxha, infermierja që udhëtonte në kamion, ka mbetur e plagosur rëndë. Burimet bëjnë me dije se ajo nuk ka reaguar dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa autoritetet vendore po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Reklame