Një automjet i djegur është gjetur mëngjesin e sotëm në zonën e Volvës, rreth një orë larg Serresit në Greqi, dhe dyshohet se lidhet me arratisjen spektakolare të shqiptarit Gentian Çipi nga spitali i Serresit.
Sipas informacioneve, një kalimtar ka konstatuar automjetin duke u djegur rreth orës 06:00 dhe ka njoftuar zjarrfikësit. Flakët u shuan para se të përhapeshin në zonën pyjore përreth.
Autoritetet greke dyshojnë se bëhet fjalë për automjetin e dytë të përdorur nga bashkëpunëtorët e Çipit, i cili më pas mund të jetë djegur për të humbur gjurmët.
Makina mund të jetë një element i rëndësishëm për hetimin, pasi ekspertiza dhe të dhënat e saj mund të ndihmojnë në rindërtimin e itinerarit të ndjekur pas arratisjes.
Ndërkohë, pranë spitalit të Serresit ishte gjetur edhe automjeti i parë, një Nissan Navara. Brenda tij, sipas të dhënave të bëra publike, u gjetën një kallashnikov, një bidon me benzinë dhe targa.
Gentian Çipi, 41 vjeç, ishte transferuar në spital me një automjet të shërbimit të burgut. Sipas informacioneve, për transferimin e tij nuk ishte kërkuar asistencë nga Policia Greke.
Çipi shoqërohej nga dy të burgosur të tjerë dhe pesë persona të eskortës.
Në oborrin e spitalit, ndërsa disa prej tyre zbritën nga automjeti, të paktën tre persona të armatosur dyshohet se ndërhynë. Ata kërcënuan eskortën dhe arritën ta nxirrnin Çipin nga automjeti, duke u larguar më pas me dy makina.
Tashmë autoritetet greke po hetojnë të gjithë itinerarin e arratisjes. Dy automjetet e gjetura, armët dhe provat e tjera mund të jenë kyçe për identifikimin e personave që organizuan dhe realizuan largimin e të dënuarit.
Lexo edhe
FOTO + EMRI/ “Komandot” e nxorën nga burgu në Greqi, kush është 41-vjeçari nga Korça














