Tale, Lezhë – Shkolla ka mbaruar. Për mijëra fëmijë kjo do të thotë plazh, lojëra, biçikleta, top futbolli dhe ditë pa detyra. Por për Mateo dhe Marion, dy vëllezër vetëm 6 dhe 8 vjeç, vera ka një kuptim tjetër.
Çdo mëngjes, që në orën 09:00, ata marrin çantën në shpinë dhe nisen përgjatë bregut të Tales. Brenda çantës nuk kanë lodra, por qese me fara dhe kikirikë. Ndërsa bashkëmoshatarët e tyre vrapojnë drejt detit, ata ecin nën vapën përvëluese duke kërkuar klientë.
Në fund të ditës, kur dielli nis të ulet mbi Adriatik, Mateo dhe Mario vazhdojnë ende të ecin. Shpesh kthehen në shtëpi vetëm pas orës 19:00.
Kanë edhe një motër më të madhe. Familja jeton me sakrifica. Babai punon dimrit në ndërtim, ndërsa gjatë verës shet misra për të siguruar të ardhura shtesë. Nëna merret me shtëpinë dhe fëmijët. Çdo lek i fituar ka rëndësi.
Për këtë arsye, dy vëllezërit e vegjël nuk po shijojnë pushimet si fëmijët e tjerë. Ata po punojnë.
Teksa kalojnë pranë shezlongëve, shohin fëmijë të tjerë që qeshin, luajnë me rërën dhe zhyten në det. Ata ndalen vetëm për pak çaste, duke pyetur: A doni fara? A doni kikirik? Pastaj vazhdojnë rrugën e tyre me çantën në shpinë. Nje qese fara dhe nje qese kikirik i shesin vetem per nje mije lek dhe kur ti ju blen dy qese te shohin me habi dhe nje shenje mosbesimi nese e ke vertet.
Pamja është e dhimbshme.
Në një vend që krenohet me turizmin dhe me bukuritë natyrore, dy fëmijë të vegjël detyrohen të kalojnë ditët e verës duke shitur fara e kikirikë për të ndihmuar familjen.
Dhe pyetja lind natyrshëm:
Ku është shteti?
Çfarë programesh konkrete ekzistojnë për familjet në nevojë? Çfarë mbështetjeje marrin fëmijët që rrezikojnë të humbasin fëmijërinë për shkak të varfërisë? Sa familje të tjera në bregdetet shqiptare mbijetojnë falë punës së fëmijëve apo sakrificave të tyre të përditshme?
Shqipëria është një vend me pasuri natyrore, me bregdet të gjatë dhe potencial të jashtëzakonshëm ekonomik. Megjithatë, historia e Mateos dhe Marios tregon se për shumë familje realiteti mbetet krejt ndryshe.
Ndërsa politika vazhdon debatet e pafundme, ndërsa flitet për miliona euro investime, tendera dhe projekte madhore, në plazhin e Tales dy fëmijë të vegjël ecin kilometra të tëra nën diell për të fituar disa qindra lekë më shumë për familjen.
Tale mbetet një nga zonat me potencial të madh turistik, por banorët ankohen prej vitesh për mungesë investimesh, infrastrukturë të pamjaftueshme dhe zhvillim të ngadaltë krahasuar me potencialin që ofron zona.
Në fund të ditës, historia e Mateos dhe Marios nuk është thjesht historia e dy vëllezërve që shesin fara në plazh.
Është historia e një Shqipërie që ende nuk ka gjetur mënyrën për t’u garantuar të gjithë fëmijëve të saj të njëjtën mundësi: të jetojnë fëmijërinë si fëmijë.
Ndërsa mbrëmja bie mbi bregun e Tales dhe pushuesit largohen, dy vëllezërit vazhdojnë të ecin me çantat në shpinë.
Ndoshta me shpresën se nesër do të shesin pak më shumë.
Ndoshta me shpresën se dikush do t’i shohë…
















