Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar përmes një videoje me Inteligjencë Artificiale miratimin e 15 projekteve të reja për ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve në kryeqytet. Sipas Veliajt, me projektet e reja, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara ose të projektuara gjatë administrimit të Bashkisë nga ai, arrin në 130.

Përmes videos me AI së postuar në rrjetet sociale, teksa e cilësoi si persekutim transferimin e tij në paraburgimin e Fierit, Veliaj tha se do t’i qëndronte besnik prioriteteve të tij, edhe sikur ta internonin në Hënë.

Reklame
“Përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!”, shkruan mes të tjerash Veliaj.

Veliaj renditi disa nga padrejtësitë që ai pretendon se janë bërë kundrejt tij, duke theksuar se u rrëmbye nga zyra e kryetarit, u shkarkua nga detyra në mënyrë anti-kushtetuese dhe u persekutua duke qëndruar në paraburgim prej 20 muajsh.

Reagimi i Veliajt:

Pasi më rrëmbyen nga zyra e Kryetarit të Bashkisë me letra anonime, pasi tentuan të më shkarkonin nga detyra në mënyrë antikushtetuese, pasi e bënë çorbë menaxhimin e Tiranës, pasi më persekutojnë dhe më mbajnë në paraburgim politik prej 20 muajsh, në një ping-pong gjykatash, pasi më rrëmbyen për të më ndërruar birucën pa një shkresë te vetme dhe pasi më kërcënuan edhe aty, përsëri sot miratova projektet për 15 çerdhe dhe kopshte të reja për fëmijët e Tiranës!

Me këto projekte, numri i çerdheve dhe kopshteve të ndërtuara apo të projektuara gjatë administrimit tim arrin në 130!

Jo në Durrës e Fier, por edhe në Hënë po të duan të më internojnë, unë do t’u qëndroj besnik prioriteteve të mia!

Këto janë kopshtet e çerdhet që kam miratuar sot:

Nj. 9, Kopsht, Don Bosko, 150 fëmijë

Nj. 12, Kopsht, Fresku, 150 fëmijë

Nj. 13, Çerdhe, Kodra e Diellit, 50 fëmijë

Nj. 9, Çerdhe, Don Bosko, 100 fëmijë

Nj. 13, Çerdhe, Liqeni i Thatë, 50 fëmijë

Nj. 9, Çerdhe, Stracioni i Trenit, 100 fëmijë

Petrelë, Kopsht, Daias, 16 fëmijë

Dajt, Kopsht, Tufinë, 33 fëmijë

Nj. 12, Kopsht, Sh. 17 Shkurti, 122 fëmijë

Nj. 1, Kopsht, Tregu Elektrik, 120 fëmijë

Nj. 7, Çerdhe, Fusha Aviacionit, 100 fëmijë

Nj. 7, Çerdhe, Dogana, 100 fëmijë

Nj. 7, Kopsht, Zogu i Zi, 150 fëmijë

Nj. 14, Çerdhe, Yzberisht, 100 fëmijë

Nj. 14, Çerdhe, Astir, 100 fëmijë

Lexo edhe

Veliaj hap letrat nga burgu, mesazhe të forta për Ramën: “Nuk më shantazhon dot me sajesa”

A e kërcënoi Erion Veliajn? Rama nuk përgjigjet: “Janë zhurma të parëndësishme”

Reklame