Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar me ironi pas paraqitjes së moderatorit Ardit Gjebrea në SPAK, ku ky i fundit u pyet në cilësinë e personit në dijeni.
Në një reagim publik, Blushi pyeti me sarkazëm se kur do të thirret edhe reperi amerikan Kanye West, ndërsa pretendoi se vëmendja ndaj personazheve publikë po largon fokusin nga zyrtarët që kanë administruar pushtetin dhe paratë publike.
“Shumë mirë që thirrën edhe Ardit Gjebrean në SPAK. Po Kanye West kur do ta thërrasin? Apo nuk ka ardhur ende radha e yjeve ndërkombëtarë?”, shkroi Blushi.
Ai përmendi gjithashtu emrat e Ardit Gjebreas dhe ish-futbollistit Igli Tare, duke pyetur nëse ata kanë pasur përgjegjësi në vendimmarrjet që lidhen me inceneratorin e Tiranës apo tunelin e Llogarasë.
Blushi kërkoi që SPAK të përqendrohet te zyrtarët dhe vendimmarrësit politikë, duke bërë thirrje për thirrjen e kryeministrit Edi Rama dhe dërgimin në Kuvend të kërkesës për Belinda Ballukun.
“Hetoni vendimmarrjen, firmat, kontratat dhe përgjegjësitë e kujtdo që ka pasur pushtetin dhe ka administruar paratë publike”, deklaroi ai.
Në reagimin e tij, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë kritikoi atë që e cilësoi si një “paradë VIP-ash” para kamerave në dyert e SPAK-ut, duke kërkuar hetim të aferave që, sipas tij, rëndojnë mbi financat publike.
Blushi e mbylli reagimin me një tjetër metaforë ironike ndaj organit të akuzës: “Ujqërit janë kapur në qerre lepujsh, SPAK heton kanarinat që këndojnë mbi pemë”.
Ai akuzoi gjithashtu SPAK-un për atë që e quajti “drejtësi me regji” dhe kërkoi fundin e pandëshkueshmërisë.
Lexo edhe
Ardit Gjebrea del nga SPAK: “Isha i thirrur si person në dijeni, nuk mund të flas”
Blushi dhe Këlliçi përplasen me policinë: Pse po pengoni qytetarët të lëvizin?














