Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e tre akteve të miratuara nga qeveria, të cilat opozita i konsideron kufizuese për të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Lajmin e bëri të ditur kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili deklaroi se kërkesa përfshin Aktin Normativ nr. 5/2026, Aktin Normativ nr. 6/2026 dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, të datës 28 tetor 2026.
Përveç shfuqizimit të tyre, demokratët i kanë kërkuar Kushtetueses edhe pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes.
Sipas Bardhit, këto masa i japin Policisë së Shtetit kompetenca që mund të kufizojnë tubimet, lirinë e shprehjes dhe lëvizjen e qytetarëve. Ai kundërshtoi gjithashtu përgjegjësinë solidare që mund t’u ngarkohet organizatorëve për dëmet e shkaktuara nga pjesëmarrës të tjerë në protesta.
Tre aktet që PD kërkon të rrëzohen
Duke shpjeguar arsyet e ankimit, Bardhi u ndal fillimisht te Akti Normativ nr. 5/2026, për të cilin pretendon se i jep Policisë kompetencën të kufizojë tubimet në zona të caktuara deri në 72 orë, të urdhërojë largimin e individëve nga një zonë deri në 48 orë dhe të kërkojë fshirjen e përmbajtjeve në rrjetet sociale që konsiderohen nxitëse të dhunës.
Sipas tij, këto kompetenca krijojnë rrezik për kufizimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të qytetarëve pa garanci të mjaftueshme procedurale dhe kontroll gjyqësor efektiv.
Për Aktin Normativ nr. 6/2026, opozita kundërshton përgjegjësinë solidare të organizatorëve për dëmet e shkaktuara gjatë tubimeve nga persona të tjerë. Bardhi argumentoi se përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe të provohet përmes veprimeve konkrete, duke kundërshtuar ndëshkimin e organizatorëve për veprime që nuk i kanë kryer apo nxitur.
Ndërsa Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, sipas pretendimeve të PD-së, krijon një regjistër të posaçëm për personat e përfshirë në procedime ose hetime penale për vepra të lidhura me tubimet. Bardhi ngriti shqetësime për mbrojtjen e të dhënave personale dhe mundësinë e kufizimit të lëvizjes jashtë vendit pa një vendim gjykate.
PD kërkon edhe llogari nga kreu i Policisë së Shtetit
Përveç ankimit në Gjykatën Kushtetuese, Grupi Parlamentar i PD-së ka kërkuar thirrjen në një seancë dëgjimore në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Sipas Bardhit, ai duhet të japë shpjegime për shoqërimet dhe gjobat ndaj qytetarëve që protestojnë, si dhe për përdorimin e forcës policore gjatë protestave të javëve të fundit.
“Qeveria po përdor rendin publik si alibi për të kufizuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar”, deklaroi Bardhi.
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar demokrat u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë lidhur me atë që opozita e konsideron cenim të lirive dhe të drejtave themelore.
Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë kërkesën e depozituar dhe të vendosë për kërkesën e pezullimit të akteve deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Lexo edhe














