E lexova me shumë vemendje Lutfi Dervishin në analizën e tij “Kush janë maskarenjtë pas maskave?”. Ai ngre një pyetje me vend për personat e maskuar gjatë protestave: kush ishin dhe në interes të kujt vepruan? Por, sipas meje, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është po aq e rëndë, ndoshta edhe më e dhimbshme.
Për ata me skafandra që goditën protestuesit, pak a shumë e dimë se në shërbim të kujt vepronin. Por kush do të mbajë përgjegjësi për ata që dolën në protestë me fytyrë të zbuluar, folën në emër të popullit dhe në fund, e përdorën zemërimin e tij për interesat e tyre politike?
Këta pesë muaj protesta nuk u godit vetëm nga dhuna e pushtetit. U dobësuan edhe nga brenda. Nga njerëz që panë te revolta e qytetarëve një mundësi për të siguruar një vend në listat e PD-së apo të ndonjë partie tjetër. Nga ata që, në vend që ta çonin protestën drejt qëllimit, e mbajtën peng të ambicieve të tyre. Nga ata që e shitën shpresën e njerëzve për një interes personal.
Në bulevard dolën një ditë mbi 170 mijë persona, aq shumë saqë RENEA apo cdo strukturë tjetër policie, pas as dreqi me të birin nuk e shkuan dot në mendje të përballeshin me atë masiv popullor në heshtje. A e bëri kush ndonjëherë pyetjen: Ku u zhduk të nesërmen gjithë ai popull? Pse? Çfarë ndodhi me të? Ishte e sigurtë që ata njërez po të qëndronin, Rama që sot bën gangon e Ballkanit Perëndimor, as 48 orë nuk do të kishte qëndruar dot. Cfarë ndodhi? Nuk kishte dhunë policore, as kërcënime. Nuk pipëtiu kush. Ndodhi vetëm një “ngatërresë e vogël” tek mikrofoni.
Nuk mund të lëmë jashtë kësaj përgjegjësisë një pjesë të madhe të grupit të nismëtarëve të njohur publikisht dhe as ata që u afruan me protestën bashkë me ata që zgjodhën të qëndronin në distancë prej tyre, përfshirë Goxhajn dhe Gashin (që duhet ti përmend me emër për shkak se nuk është se publikisht ishin pjesë e këtij grupi, por që fijet ishin aty). Secili duhet gjykuar për atë që bëri, për atë që nuk bëri dhe për rolin që pati në këtë proces. Jo sipas fjalëve që tha, por sipas rezultateve që prodhoi.
Çfarë vlere ka të dalësh para kamerave, të flasësh për popullin dhe të pretendosh se je në krah të tij, nëse në fund qytetarët mbeten të zhgënjyer, protesta humbet drejtimin dhe pushteti vazhdon sikur asgjë nuk ka ndodhur?
Pushteti mund ta godasë protestën me shkopinj, me gaz, me plumba dhe me pranga, por ata që e përdorin për interesat e tyre e godasin aty ku dhemb më shumë: te besimi.
Dhe kjo është tradhtia më e rëndë. Njeriu që del në rrugë rrezikon veten, përballet me policinë, lë punën dhe familjen, sepse beson se zëri i tij mund të ndryshojë diçka. Ai nuk del që dikush tjetër të sigurojë një kandidaturë, të bëhet i njohur apo të negociojë një pozicion politik në kurriz të tij.
Populli nuk është budalla. Nuk ka nevojë për shumë analiza që të kuptojë kur diçka nuk shkon. Njerëzit i nuhasin pazaret, i dallojnë lojërat dhe e kuptojnë kur ata që pretendojnë se i udhëheqin po mendojnë më shumë për veten sesa për kauzën. Dyshimi dhe zhgënjimi mund të kenë nisur që në 24 orët e para, kur u bë e dukshme përplasja mes pritshmërive të qytetarëve dhe mënyrës se si po zhvillohej protesta.
Pastaj vjen heshtja. Njerëzit nuk dalin më. Nuk besojnë më. Jo sepse janë pajtuar me pushtetin, por sepse nuk besojnë as te ata që u kërkojnë të ngrihen kundër tij. Kjo është fitorja më e madhe që mund t’i dhurohet një pushteti: t’i bindësh njerëzit se nuk ia vlen më të protestosh.
Prandaj, po, të identifikohen personat e maskuar. Të zbulohen ata që ushtruan dhunë, ata që dëmtuan pronat dhe ata që vepruan pa shenja identifikuese. Por të mos harrojmë edhe ata që nuk kishin nevojë për maskë, sepse fytyrën e kishin të zbuluar, ndërsa qëllimet mund t’i kishin krejt të tjera.
Të bëhet edhe bilanci i atyre që e nisën, e drejtuan, e frenuan apo e devijuan protestën. Të shihet kush doli për qytetarët dhe kush për veten. Kush luftoi për kauzën dhe kush kërkoi të përfitonte prej saj.
Protesta nuk vritet vetëm kur policia godet një protestues, zakonisht ndodh që kjo e forcon protestën më shumë. Ndonjëherë ajo vdes ngadalë, kur njerëzit kuptojnë se janë përdorur nga ata të cilëve u besuan. Pastaj kur qytetari humbet besimin te ata që i premtojnë ndryshimin, nuk humbet vetëm një protestë. Humbet edhe një pjesë e shpresës se ky vend mund të ndryshojë. Kjo është arsyeja pse përgjegjësia nuk mbaron te maskat dhe skafandrat. Ajo shkon deri te ata që, me fjalë për popullin dhe me ambicie personale, mund ta kenë çuar dëm sakrificën e mijëra qytetarëve.
Lexo edhe
Kush janë maskarenjtë pas maskave?














