Tre persona janë arrestuar nga Policia e Dibrës, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgatitnin dhe shisnin kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Burrelit.
Arrestimet u kryen në kuadër të operacionit policor të koduar “Start 3”, pas një hetimi të zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat dhe nën drejtimin e Prokurorisë.
Në pranga u vunë A. M., 27 vjeç, dhe D. Gj., 55 vjeç, të dy banues në Sanxhak, Laç, si dhe N. Gj., 72 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi 94.70 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 19 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 13 telefona celularë, dy peshore elektronike, një automjet dhe një orë dore të markës “Rolex”.
Sipas hetimeve paraprake, tre të arrestuarit dyshohet se vepronin në bashkëpunim për përgatitjen dhe shitjen e kokainës në zona të ndryshme të Burrelit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.
Lexo edhe
Protestat në Shqipëri, kongresmeni amerikan në krah të qytetarëve: Qeveria të ulë tensionet
Porositi djegien e makinës së drejtoreshës së shkollës, arrestohen dy persona në Vlorë (EMRAT)













