Kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog ndaj protestuesve, duke zgjedhur sërish një mënyrë simbolike për ta përcjellë mesazhin e tij.

Këtë herë, mbi gurët e vendosur në shesh, Rama ka lënë një jastek të kuq, ndërsa sipër tij ka vendosur ftesën e mëparshme për dialog.

Reklame

Pas kthimit nga Budva, ku mori pjesë në takimin e Procesit të Berlinit, kryeministri ka dalë sërish vetë për të vendosur ftesat, duke këmbëngulur te thirrja për dialog me protestuesit.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kjo ftesë do të marrë përgjigje pozitive nga protestuesit, të cilët prej ditësh vijojnë tubimet dhe kërkesat e tyre.

Rama tha se ishte i hapur për dialog me këdo që mendonte ndryshe, por paralajmëroi se të gjithë protestuesit e dhunshëm, që sulmuan gjatë këtyre ditëve pronën publike e private, do të përballeshin me ligjin.

“Përsëri, e përsëri e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog, është këtu. Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend dhe në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë me e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta. Kundërshtia e dhunshme, me forcë, që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i imponohet dot domosdoshmërisë për dialog, për ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike, në një vend ku e kaluara nuk ka asnjë shans që të kthehet.

Dhe kush e mori peng kryeqytetin, duke eksportuar terrorin e Antifës dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar, duhet ta dijë se do të përgjigjet ligjërisht, penalisht, sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkeljes së keqkuptimit të madh. Keqkuptim i madh ky që të mendosh se mund t’i imponohesh një populli të tërë, një komuniteti të tërë, familjeve të zakonshme të këtij vendi që duan të shkojnë në punë, me gjuhën e gurit dhe të zjarrit.

Keqkuptim shumë i madh që do të kthehet në një mësim shumë të rëndësishëm për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon. Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe do të çojë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe Shqipëria do të jetë pjesë e atij Bashkimi Europian, që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh”, tha mes të tjerash Rama.

 

Lexo edhe

Këmbëngulje apo sfidë? Rama vendos “Dialog” mbi blloqe gurësh

“Jo” dialogut për herë të tretë Ramës! Protestuesit përmbysin grurët e vendosur në shesh

Reklame