Dita e tetë e protestave në Tiranë nisi me një tjetër ftesë të kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët dhe protestuesit, por përfundoi me përplasje të përsëritura, molotovë, gurë dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës e ujë me presion. Nga Ministria e Arsimit te sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, tensionet u zhvendosën gjatë gjithë ditës në disa zona të kryeqytetit.
Protesta e kësaj të marte nisi pa incidente të dukshme para Kryeministrisë, ku një grup pedagogësh u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më pas, atyre iu bashkuan edhe studentë, ndërsa në të njëjtën kohë u përsërit ftesa e qeverisë për dialog.
Drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, doli pranë karrigeve të vendosura simbolikisht para Kryeministrisë, duke përcjellë mesazhin e Ramës se studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshironin të diskutonin me kreun e qeverisë ishin të mirëpritur.
Por ftesa nuk u pranua nga protestuesit. Disa prej tyre përmbysën karriget e vendosura për dialog, ndërsa më pas grupi u nis drejt Ministrisë së Arsimit. Pedagogët u larguan dhe nuk iu bashkuan marshimit të mëtejshëm.
Gurë drejt policisë dhe barrikada në bulevard
Tensionet e para u regjistruan pranë Ministrisë së Arsimit, ku protestues të maskuar hodhën gurë në drejtim të efektivëve. Policia ndërhyri për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u rikthyen më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Aty, një grup protestuesish shkatërroi strukturën e një stacioni të transportit urban dhe e përdori atë si barrikadë përballë forcave të policisë. Në zonë u mblodhën edhe gurë, duke shtuar tensionin mes palëve.
Pas një periudhe qetësie, situata u përshkallëzua sërish. Protestuesit hodhën gurë drejt efektivëve dhe molotovë në drejtim të Kryeministrisë. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa sipas raportimeve, në ndërhyrje u përdorën edhe plumba gome.
Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, një pjesë e protestuesve u shpërnda. Furgonë dhe automjete policie u vunë në lëvizje për të ndjekur grupet që u larguan nga zona.
Përplasjet zhvendosen te sheshi “Skënderbej” dhe Katedralja Ortodokse
Rreth orës 19:30, protestuesit u mblodhën sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Por grumbullimi nuk solli qetësimin e situatës. Përplasjet u zhvendosën drejt sheshit “Skënderbej” dhe zonës pranë Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”.
Në këto zona u raportua hedhja e molotovëve dhe e fishekzjarrëve në drejtim të policisë, ndërsa tensionet vijuan gjatë mbrëmjes.
Pas orës 20:00, përplasjet u rikthyen edhe para Kryeministrisë. Protestuesit u shtynë me efektivët, ndërsa policia përdori spraj me piper dhe gaz lotsjellës për t’i larguar nga zona. Gjatë ndërhyrjeve nisën edhe shoqërimet e protestuesve.
Policia përdor dy autobotë, molotovë të rinj drejt efektivëve
Ashtu si një ditë më parë, policia ndoqi strategjinë e ndërhyrjeve të shpejta me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, duke lëvizur pas grupeve të protestuesve të maskuar edhe pasi ata shpërndaheshin në drejtime të ndryshme.
Rreth orës 21:00, protestuesit u rikthyen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u regjistrua një tjetër sulm me molotovë në drejtim të policisë.
Forcat e rendit ndërhynë menjëherë me dy autobotë, duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për të mos lejuar afrimin e protestuesve drejt Kryeministrisë.
Përplasjet e përsëritura treguan se, edhe në ditën e tetë, situata mbeti larg një zgjidhjeje përmes dialogut. Ftesa e qeverisë nuk u pranua nga protestuesit, ndërsa marshimet dhe ndërhyrjet e policisë u shoqëruan me episode të reja dhune në disa prej zonave kryesore të Tiranës.
Dita e tetë e protestave u mbyll mes tensioneve të përsëritura, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijuan deri në orët e mbrëmjes.
Lexo edhe
‘Dialog, por me kë?’ Rama ndan videon me thirrjet e pedagogëve nga protesta












