Advertisement

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka bërë të ditur se dy punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pas rasteve të tejkalimit të kompetencave, të dokumentuara në pamje që janë publikuar në media dhe rrjetet sociale.

Përmes një reagimi, Demo deklaroi se ishte njohur me dy rastet dhe se kishte kërkuar menjëherë nga strukturat përkatëse të policisë marrjen e masave, pas verifikimeve të nevojshme. Ai falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për vendimin e pezullimit të dy punonjësve.

Reklame

Ministri theksoi se, gjatë tri ditëve të protestave, Policia e Shtetit është përballur me një situatë të vështirë, duke pretenduar se protestues të nxitur politikisht, përfshirë edhe të mitur, kanë kryer akte dhune ndaj efektivëve, institucioneve, bizneseve dhe pronës private.

Megjithatë, Demo nënvizoi se reagimi i policisë duhet të jetë proporcional dhe brenda kufijve të përcaktuar nga ligji. Sipas tij, çdo rast i konfirmuar i shkeljes së ligjit nga punonjësit e policisë duhet të hetohet dhe të ndëshkohet sipas procedurave përkatëse.

“Ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë”, u shpreh ministri, duke theksuar se kjo vlen si për personat që kryejnë akte dhune, ashtu edhe për punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.

Demo deklaroi gjithashtu se profesionalizmi i Policisë së Shtetit nuk matet vetëm me garantimin e rendit dhe sigurisë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari.

Në reagimin e tij, ministri iu drejtua edhe prindërve të të miturve që marrin pjesë në protestat e dhunshme, duke u kërkuar të komunikojnë me fëmijët e tyre dhe të mos lejojnë që ata të përfshihen në akte dhune.

Në përfundim, Demo siguroi se institucionet do të vijojnë të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, ndërsa çdo shkelje e konstatuar nga punonjësit e policisë do të trajtohet në përputhje me ligjin.

Lexo edhe

Këlliçi shpërthen pas masave ndaj protestuesve: “Ndaloni dhunën ndaj studentëve!”

Protestuesit mblidhet para Kryeministrisë, thirrje kundër Ramës dhe policisë: “Jep dorëheqjen!”

Reklame