Advertisement

Pas zbardhjes së vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra në Madhesh të Matit dhe dërgimit të dosjes për gjykim nga SPAK, motra e tij ka ndarë një postim prekës në rrjetet sociale.

Në një shkrim të gjatë të postuar në TikTok, krah një fotoje ku ndodhet pranë varrit të vëllait të vetëm, ajo shpreh dhimbjen që i mbart zemra dhe mospranimin se nuk do të shihen më.
“Reni motrës
Kane kaluar 1 vit e e3 muaj pa ty, por zemra ime ende nuk arrin ta besoje qe ti nuk je me ketu. Ende te pres. Ende me duket sikur do te shoh, sikur do te degjoj zerin tende, sikur do te vije ai moment kur do te mund te perqafoj perseri
Më mungon… më mungon më shumë nga sa mund ta shpjegojnë fjalët”, shkruan ajo.
Më tej, numëron kujtimet me vëllanë dhe dëshirën që e djeg për t’i përjetuar sërish apo shpresën se netëve mund ta takojë të paktën në ëndrra.
“Me lot në sy kujtoj çdo moment me ty. Çdo të qeshur, çdo bisedë, çdo gjë të vogël që dikur më dukej normale dhe sot do të jepja gjithçka vetëm ta përjetoja edhe një herë.
Ka net kur fle dhe pres të të shoh në ëndërr. Dhe kur zgjohem e kuptoj që nuk të pashë, mërzitem shumë. Sepse në ëndërr është i vetmi vend ku zemra ime shpreson të takojë përsëri”, vijon postimi.
Trishtim për përqafimet dhe fjalët e pathëna, por edhe për grindjet që tani nuk kanë më rëndësi.
“Sikur te mund te te perqafoja vetem nje here… do te shtrengoja fort dhe nuk do te lija. Do te thosha sa shume te dua. Do te thosha sa shume me ke munguar. Do te kerkoja falja nje mije here dhe cdo here qe te kam ngritur zerin, per cdo fjale qe ndoshta te ka lenduar, per cdo gje qe nuk ta plotesova kur ti e deshe.  Më fal, vëllai im.Sot do të doja të mos kisha kursyer asnjë përqafim, asnjë të dua, asnjë minutë me ty. Por dua të dish diçka, unë të kam dashur gjithmonë. Edhe kur jam mërzitur, edhe kur të kam bërtitur, edhe kur nuk kemi qenë dakord. Dashuria ime për ty ka qenë aty dhe do të jetë gjithmonë”, thuhet në shkrim.

Ajo vijon se do të dëshironte t’i tregonte gjithçka ka ndodhur gjatë mungesës së tij apo ta telefononte, por duke e ditur se nga ana tjetër nuk do të ketë përgjigje.

Reklame

“Ti nuk ishe thjesht vëllai im.Ti ishe vëllai im i vetëm.

Drita e syve të mi.
Një pjesë e zemrës sime.
Dhe tani që nuk je këtu, e kuptoj sa shumë nga zemra ime ke marrë me vete.
Do të doja të tregoja gjithçka që ka ndodhur që kur ike. Do të doja të tregoja sa herë më ka marrë malli, sa herë kam qarë fshehurazi, sa herë kam dashur të telefonoj e pastaj më është kujtuar se nuk mundem.”

Mbi gjithçka tjetër mbizotëron dashuria dhe dëshira për ta shprehur edhe një herë.

“Por mbi të gjitha do të doja të thoja edhe një herë

Të dua, vëllai im.
Më fal për gjithçka.
Më mungon çdo ditë.
Dhe nuk do të harroj kurrë.
Nëse dashuria do të mund të sillte përsëri, ti do të ishe këtu në krahët e mi.Deri atëherë, do të mbaj në zemër, në kujtime, në çdo lot dhe në çdo buzëqeshje që më sjell ndër mend ty.vPusho i qetë, vëllai im i shtrenjtë.
Motra jote do të dojë përgjithmonë”, përfundon postimi.

Renis Dobra u vra korrikun e kaluar nga 3 vëllezërit Kristë, Fation, Aleksandër Bushgjokaj dhe Petrit Çakri, për motive që dyshohet se kanë lidhje me çështje të trafikut të drogës. Ata e rrëmbyen, e ekzekutuan me litar dhe e hodhën bashkë me makinën e tij në liqenin e Shkopetit.

Më shumë se një vit pas vrasjes së tij në Madhesh të Matit, SPAK ka arritur të zbardhë dinamikën e plotë të rrëmbimit dhe ekzekutimit të 23-vjeçarit Renis Dobra.

Për Prokurorinë e Posaçme, plani i mirëorganizuar që vunë në jetë 3 vëllezërit Fation, Kristë dhe Aleksandër Bushgjokaj e Petrit Çakri tregon se kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal.

Siç deri më tani dihej, 3 vëllezërit nga Tropoja dhe Çakri e ndiqnin Dobrën me makina të marra me qira në Rinas e Yzberisht që i ndryshonin çdo ditë. Zanafilla e konfliktit dyshohet të kenë qenë çështje droge pasi Fation Bushgjokaj kishte deklaruar se me Dobrën kishte punuar më parë në Gjermani, por mosmarrëveshjet ishin sqaruar.

Megjithëse kanë shpresuar të mos pikaseshin, kamerat e sigurisë dhe sistemi GPS në automjete kanë dokumentuar lëvizjet e tyre në Burrel e Klos-Zenisht. Mbrëmjen e 8 korrikut të kaluar, ndërsa udhëtonin në makina të ndara, Petrit Çakraj dhe Kristë Bushgjokaj kanë vënë re te Ura e Matit, Benz-in e Dobrës.

Nga aty, i janë vënë pas me mjetin e tyre Hyundai Santa Fe dhe paralelisht, kanë sinjalizuar dy të tjerët, Fation e Aleksandër Bushgjokajn që ishin në një Range Rover.

Dy minuta para se ora të trokiste 22:00, Range i ka prerë rrugën makinës së Dobrës te Kroi i Suçit. Aty, 23-vjeçari është nxjerrë me forcë nga makina dhe është rrëmbyer me Range.

Një prej autorëve ka marrë drejtimin e makinës së viktimës dhe tre automjetet kanë udhëtuar nga Burreli drejt Ulzës e Shkopetit. Siç ekspertiza provoi, Dobra është dhunuar dhe më pas mbytur me litar brenda në makinë, para se vrasësit t’i hidhnin në liqen.

Trupi i tij u gjet buzë liqenit të Shkopetit, ndërsa makina në ujë.

Çakri ka dëshmuar më herët se nuk ka gisht në vrasjen e Dobrës pasi sipas tij, i kanë thënë të largohej në momentin që u futën në një makinë të tretë. Ai ka deklaruar se 3 vëllezërit e kishin marrë me vete për të kërkuar drogë në fshatra të Burrelit.

Mbi 4 të pandehurit rëndojnë akuzat “Rrëmbim ose mbajtje peng e personit”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.”

Lexo edhe

Vrasja e Renis Dobrës, SPAK çon në gjyq 4 të pandehurit. Zbardhet si u ndoq e u mor me forcë 23-vjeçari

Ngjarja e Dobraçit, GJKKO liron nga “arresti shtëpiak” Gjulio Vuksanin

Reklame