Tre persona janë arrestuar nga Policia në Lezhë, pasi dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një vrasje. Gjatë operacionit të koduar “Detajet”, uniformat blu sekuestruan tri pistoleta me municion, një motomjet të vjedhur në Suedi dhe automjetin që dyshohet se do të përdorej për largimin pas krimit.
Të arrestuarit janë Elden Tarja, 25 vjeç, banues në Barbullush; Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç, banues në Kamzë; dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin.
Sipas Policisë, dy prej të dyshuarve lëviznin të armatosur dhe të pajisur me skafandra me një motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”. Personi i tretë dyshohet se do t’i ndihmonte të largoheshin me automjet pasi të kryenin vrasjen e planifikuar.
U kapën në aksin Gjadër–Barbullush
Operacioni u organizua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Policinë e Shkodrës, pas marrjes së informacionit për lëvizjet e dyshimta të personave me skafandra.
Pas kontrolleve dhe patrullimeve në zonë, policia ndaloi në aksin rrugor “Gjadër-Barbullush” një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin udhëtonin tre të dyshuarit.
Gjatë kontrolleve fizike, në motomjet, në banesën e njërit prej të arrestuarve dhe në afërsi të saj, u gjetën tri pistoleta me krehra e fishekë, si dhe municion luftarak. Verifikimet zbuluan se motomjeti ishte vjedhur në Suedi.
Sipas Policisë, Vinçesk Piroli ka precedentë penalë për vepra kundër personit, brenda dhe jashtë vendit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Tre personat dyshohen për përfshirje në planifikimin e vrasjes, ndërsa përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga drejtësia.
Lexo edhe
Përplasje para Kuvendit. Protestuesit përballen me policinë, hidhet ujë ndaj turmës
Gazetari u kërcënua pasi denoncoi aferat Ballukut, policia merr në pyetje vëllain e Igli Tares!













